Një skemë e sofistikuar mashtrimi, e dyshuar se është realizuar me Inteligjencë Artificiale, është goditur së fundmi në Tirane. Në pranga kanë rënë babë e bir, Kledis dhe Kujtim Muzhaqi, ndërsa hetuesit dyshojnë se pas tyre fshihen edhe persona të tjerë të njohur për mashtrime të ngjashme.
Gjithçka nisi me një mesazh të pazakontë që mbërriti në aplikacionin e enkriptuar SIGNAL, në telefonin e një drejtori të një ndërmarrjeje të madhe shtetërore.
“Si jemi me objektivat?”, shkruhej në mesazhin që vinte nga një numër i panjohur.
I habitur dhe i shqetësuar, drejtori e ka hapur mesazhin, ndërsa vetëm pak çaste më vonë ka marrë një VIDEO CALL. Kur është përgjigjur, në ekran i është shfaqur kryeministri Edi Rama, me syzet karakteristike të kuqe që ai përdor shpesh në daljet publike.
Telefonata ka zgjatur vetëm disa sekonda. Aq ka mjaftuar që drejtori të besonte se po komunikonte realisht me kryeministrin.
Por menjëherë pas mbylljes së telefonatës ka mbërritur një tjetër mesazh:
“Rama jam, më dërgo 60 euro në Elbasan. Komuniko me këtë numër”.
Hetuesit dyshojnë se bëhej fjalë për 60 mijë euro, shumë që mashtruesit synonin të përfitonin përmes presionit dhe manipulimit psikologjik.
Fillimisht në panik, drejtori ka besuar versionin e servirur nga autorët, por më pas ka reflektuar dhe ka njoftuar Policinë e Shtetit.
Sektori Kundër Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës organizoi menjëherë një operacion të mirëfilltë, duke inskenuar takimin në Elbasan sikur shuma do të dorëzohej. Pikërisht gjatë këtij operacioni ranë në pranga Kledis dhe Kujtim Muzhaqi.
Sot ata dolën para Gjykatës së Tiranës. 20-vjeçari Kledis Muzhaqi u la në masën “arrest shtëpie”, ndërsa babai i tij, Kujtim Muzhaqi, në masën “arrest me burg”.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se hetuesit janë të bindur se babë e bir nuk kanë vepruar të vetëm. Dyshohet se pas kësaj skeme mashtrimi qëndrojnë edhe emra të njohur për episodet e mashtrimeve në Shqipëri.
Sipas burimeve për InfoNews, në hetim janë përfshirë edhe emrat e Lorenc Muçalliut, i arrestuar më herët për mashtrim, si dhe Florian Gjergji, person i shumëkërkuar për disa raste të ngjashme zhvatjeje.
Policia dyshon fort se imazhi i Edi Ramës në video-call është krijuar me Inteligjencë Artificiale, një metodë e re që po përdoret nga grupet kriminale për të manipuluar dhe zhvatur zyrtarë apo biznesmenë.
Rasti ka ngritur alarmin për përdorimin e teknologjisë AI në mashtrime gjithnjë e më të sofistikuara, ku një video telefonatë disa sekondëshe mund të përdoret për të bindur viktimat se po komunikojnë me figura të njohura shtetërore.
©Copyright InfoNews.al
Ky artikull është ekskluziv i InfoNews.al, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar InfoNews.al dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
