Dy vëllezër janë shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës në lidhje me plagosjen e një efektivi policie, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së dielës në zonën e Shkozës.
Sipas burimeve hetimore, autor i dyshuar i plagosjes është një person i identifikuar me inicialet Ali L., i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të efektivit Anxhelo Kumaraku, agjent krimesh në Komisariatin nr. 4 në Tiranë. I dyshuari rezulton me precedentë të mëparshëm penalë, ndërsa në vëmendjen e policisë është edhe vëllai i tij.
Nga informacionet paraprake, efektivi Kumaraku ndodhej pranë banesës së tij, i shoqëruar nga një fqinj, person nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” për armëmbajtje pa leje.
Efektivi i policisë ka mbetur i plagosur në kofshë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Burime për Infonews bëjnë me dije se vëllai i autorit të dyshuar dyshohet të ishte i përfshirë në aktivitete të paligjshme të lojërave të fatit dhe se kishte krijuar borxhe të konsiderueshme. Sipas të njëjtave burime, persona të lidhur me këto aktivitete ilegale kishin kërkuar shlyerjen e parave, ndërsa disa ditë më parë raportohet të ketë pasur edhe një konflikt fizik.
Në këto rrethana, dyshohet se Ali L. ka shkuar i armatosur pranë zonës ku ndodhi përplasja dhe, gjatë konfliktit, ka nxjerrë armën duke plagosur efektivin e policisë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar rolin e secilit person të përfshirë, përfshirë edhe praninë e efektivit në vendngjarje.
