Tërmet në IMT: Gjykata pezullon Rigers Sheqerin, zbulohet skema e ndërtimeve pa leje në Tiranë

Një tjetër skandal i fortë godet institucionet e kontrollit të territorit në kryeqytet. Me vendim të Gjykatës së Tiranës është urdhëruar pezullimi nga detyra i kreut të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), shtetasit Rigers Sheqeri, ndërsa hetimet po thellohen për një skemë të dyshuar abuzimi me lejet dhe ndërtimet në Tiranë.
Sipas burimeve masa e sigurisë është vendosur me kërkesë të prokurorit Julian Xhengo, i cili ka paraqitur prova dhe dyshime të forta se Sheqeri ka lejuar ndërtim të paligjshëm brenda një kompleksi banimi të një ndërtuesi të njohur me inicialet P.C., ndaj të cilit gjithashtu është vendosur masa e bllokimit të pasaportës për të mos u larguar nga vendi.
Në të njëjtin operacion, me vendim gjykate janë shpallur në kërkim edhe dy inspektorë të IMT-së, duke ngritur dyshime për një rrjet të strukturuar brenda institucionit që në vend të zbatimit të ligjit, ka toleruar apo favorizuar ndërtime pa leje.
Në vendimin e gjykatës, ndaj Sheqerit rëndon akuza e “shpërdorimit të detyrës”, pasi dyshohet se ka mbyllur sytë përballë ndërtimeve të paligjshme në periferi të Tiranës, ndërkohë që në qendër ka zbatuar me rigorozitet aksionet për prishjen e objekteve, në kuadër të urdhrave të qeverisë. Një standard i dyfishtë që sipas hetimeve, mund të jetë diktuar nga interesa të paligjshme.
Ky nuk është rasti i parë kur emri i Rigers Sheqerit përfshihet në akuza. Më herët, banorë të zonës së Unazës e kanë denoncuar publikisht, duke pretenduar se përmes ndërmjetësve u janë kërkuar deri në 10 mijë euro në këmbim të favorizimeve apo shmangies së prishjes së objekteve.
Po ashtu, figura e tij ka qenë e përfolur edhe në media për të kaluarën në Itali, ku sipas raportimeve, ai është proceduar për vjedhje automjetesh, të cilat më pas shiteshin në Shqipëri. Një rast i tillë është përmendur në vendimin nr. 802, datë 21 korrik 2007.
Ironikisht, Sheqeri u emërua në krye të IMT-së së Tiranës në korrik të vitit 2025, në një moment të ndjeshëm pas arrestimit të kryetarit të bashkisë, me premtimin për forcimin e ligjit dhe kontrollit mbi territorin. Sot, vetëm pak muaj më pas, ai vetë përfundon nën hetim dhe i pezulluar nga detyra.
Hetimet pritet të zbardhin nëse kemi të bëjmë me një rast individual apo me një skemë më të gjerë korrupsioni që ka lejuar lulëzimin e ndërtimeve të paligjshme në kryeqytet, ndërsa qytetarët përballen me ligjin në mënyrë selektive.
