Dreka e gabuar! Pse e shkarkoi Rama-Spiropalin
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi, ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me arsyet që, sipas tij, mund të kenë çuar në largimin e Elisa Spiropalit nga posti i ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Në një intervistë televizive, Murrizi pretendoi se më 10 shtator në Durrës është zhvilluar një takim mes një gjenerali të Marinës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe disa zyrtarëve të lartë shqiptarë.
Sipas tij, në këtë takim kanë marrë pjesë ministri i Mbrojtjes i asaj kohe, Pirro Vengu, si dhe Elisa Spiropali, ndërsa të pranishëm kanë qenë edhe dy dëshmitarë të tjerë, Erion Mazniku dhe vetë Spiropali.
Murrizi deklaroi se gjenerali amerikan kishte mbërritur në Shqipëri me një fregatë nga Deti Baltik dhe gjatë një dreke në Durrës ka përcjellë një mesazh për kryeministrin Edi Rama në lidhje me projektin e portit të Porto Romanos.
Sipas pretendimeve të ish-deputetit, ushtaraku amerikan ka theksuar se një port me rëndësi strategjike për NATO-n nuk mund t’i jepet Rusisë.
“Sipas informacioneve që kam, më 10 shtator një gjeneral i madh i marinës erdhi me fregatë nga Deti Baltik dhe thirri në një drekë ministrin Pirro Vengu dhe dy dëshmitarë, Maznikun dhe Spiropalin. Mesazhi ishte: thuajini atij burrit që nuk na kalon dot nën hundë, nuk mund t’ia japë portin e NATO-s Rusisë”, deklaroi Murrizi.
Ai shtoi se ky takim mund të jetë edhe arsyeja që, sipas tij, çoi në largimin e Elisa Spiropalit nga detyra.
“Pyeteni Ramën ose Spiropalin nëse është kështu apo jo. Spiropali është shkarkuar më 10 shtator, që do të thotë se ka qenë në një drekë të gabuar. Ajo ka heshtur deri tani, por ndoshta më vonë mund të tregojë çfarë është diskutuar”, u shpreh ish-deputeti.
Deri tani nuk ka pasur reagim zyrtar nga qeveria apo nga Elisa Spiropali lidhur me këto pretendime.
