Samir Mane i korruptoi për ligjin e minierave, ja kur kalon për gjykim dosja Meta
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të japë më 18 mars vendimin nëse dosja ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi dhe tre të pandehurve të tjerë do të kalojë apo jo për gjykim.
Gjyqtarja e seancës paraprake, Irena Gjoka, mbylli këtë të enjte shqyrtimin e dosjes, pas një procesi 8-mujor, që kur SPAK dorëzoi kërkesën për gjykim ndaj Metës e Kryemadhit, të dy të akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në këtë proces të pandehur janë edhe Pirro Xhixho, Ema Çoku dhe Fatime Kryemadhi, mamaja e ish kryetares së LSI. Xhixho, babai i zv. presidentes aktuale të PL-së Erisa Xhixho, akuzohet për korrupsion, ndërsa dy të tjerat për pastrim parash.
SPAK e akuzon Metën për ndikime korruptive dhe përfitime monetare në çështjen CEZ-DIA, në një marrëveshje interkoneksioni, si dhe për një marrëdhënie të dyshuar korruptive për ndryshimin e një ligji në favor të biznesmenit Samir Mane. Sipas SPAK, akuza të ngjashme rëndojnë edhe mbi deputeten Monika Kryemadhi. Nën hetim për këto çështje janë edhe ish-kreu i AKEP, Piro Xhixho dhe Ema Çoku, një financuese e LSI-së.
