Kush fshihet pas JET BANK? BSH e licensoi, por bankat digjitale si një minë me sahat! Skandalet nga SHBA në Gjermani
esditën e 3 dhjetorit 2025, Banka e Shqipërisë vendosi t’i japë miratimin paraprak licensimit të një banke të re, të quajtur JET Bank. Nëse do të marrë miratimin përfundimtar nga Këshilli Mbikqyrës i BSH për të ushtruar veprimtari bankare dhe financiare, kjo do të jetë banka e parë digjitale në Shqipëri.
BSH, thotë në njoftimin e saj se kjo bankë “tërësisht digjitale kombinon një teknologji të avanuar me një model të thjeshtë, të sigurt dhe të përqendruar tek klienti”.
Por nëse hiqen fjalët joshëse të kohës, si “teknologji” apo “digjitale”, shqiptarët do të shohin një listë e gjatë rreziqesh, boshllëqesh dhe pyetjesh që në këtë fazë nuk po i bën askush.
Praktikisht kjo do të jetë një bankë që nuk e sheh askush, nuk e prek askush dhe që askush nuk mban përgjegjësi fizikisht. Thuajse njësoj si të luash në tregun e kripotomonedhave, vetëm se nga JET Bank nuk pret askush fitime si nga Bitcoin etj.
Shqetësimet janë nga siguria, te operacionet e deri te pastrimi i parave. Nëse bankat klasike, me degë, me staf, me serverë të mbrojtur fizikisht, janë goditur nga sulme kibernetike, çfarë mund të ndodhë me një bankë që ekziston vetëm në servera, pa dokumenta realë. Ideja e një banke të tërë që është e varur nga serverë në “cloud” dhe nga aplikacione mund të duket moderne, por në realitet rreziqet janë kolosale për të dhënat dhe paratë e qytetarëve.
Përsa i përket pastrimit të parave, një bankë pa kontakt fizik, me verifikim identiteti vetëm online, është një ëndërr për këdo që kërkon të qarkullojë para të pista me shumë lehtësi. Verifikimi video i klientëve mund të manipulohet lehtësisht, sistemet e monitorimit mund të anashkalohen siç është dëshmuar në raste të shumta të thyerjes së sigurisë së sisteveme online, në alogritme mund të ndërhyhet për të mos ngritur alarme, ndërsa nuk kuptohet se cila është ekspertiza reale e operatorit që do të administrojë këto sisteme.
Rreziku operacional është një tjetër minë me sahat. Në vendet e BE-së, bankat digjitale licencohen vetëm pasi kalojnë teste stresuese të rënda, auditime të pavarura teknologjike, certifikime të sigurisë së klasit më të lartë. Por edhe në Europë dhe vende të ndryshme të botës, bankat digjitale kanë nisur të shpërthejnë tamam si mina me sahat.
Për të kuptuar se çfarë është një bankë digjitale dhe rrezikqet e saj, po sjellim një listë me shembuj nga vende të BE-së, nga SHBA dhe vende të ndryshme të botës, ku këto banka kanë dështuar dhe ku dështimi ka ndodhur brenda pak orëve, jo ndër vite.
1.Gjermani — Banka digjitale “N26” u vu nën hetim, u vendos nën sanksione dhe pati kufizime nga rregullatori gjerman, BaFin, i cili vendosi masa ndëshkimore, kufizime për numrin e klientëve të rinj dhe gjoba. “N26” tregoi se kishte probleme masive me verifikimin e klientëve, me pastrimin e parave, me keqpërdorimin e llogarive nga kriminelë dhe dëshmoi infrastrukturë të pamjaftueshme IT. Gjermania e konsideron rast reference për rrezikun e bankave digjitale.
2.Britania e Madhe — Mbyllje masive e bankave digjitale “e-money”. Rregullatori britanik FCA ka mbyllur ose pezulluar dhjetëra, këto banka:
-Wirecard UK (1991 – kolaps global më 2020) — miliona klientë mbetën pa akses në para për disa ditë.
-IvyPay, U Account, Pockit (pezullime periudike për shkelje AML).
-Monzo dhe Revolut u hetuan për pastrim parash dhe u ndaluan për një kohë të marrin klientë të caktuar.
Edhe pse nuk falimentuan, këto raste tregojnë rrezikun e madh sistemik në modelet digjitale.
3.SHBA — Dështime dhe mbyllje të “neobanks”.
-Beam Financial — u mbyll nga FDIC pas akuzave për mashtrim dhe bllokim të fondeve të klientëve.
-Simple Bank — financuar nga BBVA, u mbyll sepse modeli ishte i paqëndrueshëm ekonomikisht.
-Azlo Bank — e mbyllur nga BBVA për humbje të vazhdueshme.
4.Brazil — Neon Bank u mbyll përkohësisht nga rregullatori. Në 2018, rregullatori brazilian Banco Central pezulloi Neon për parregullsi financiare dhe teknologjike, duke ngrirë aktivitetin. Problemi kryesor ishte mungesa e sistemeve të forta të kontrollit dhe kapitali i pasigurt.
5.Meksikë — Klar Bank dhe Albo u hetuan, njëra u mbyll.
– Klar u hetua për transaksione të dyshimta.
– Albo u detyrua të mbyllet për disa muaj për shkelje serioze AML.
6.Lituani & Letoni — Skandale me bankat digjitale të lidhura me grupime offshore. Baltiku u bë parajsë për banka digjitale me pronarë të paidentifikueshëm .
-Finnapay, SatchelPay, Paytah u përfshinë në hetime, pezullime ose humbje licence. Problemi kryesor ishin skemat e pastrimit të parave dhe pronësia e fshehtë dhe e dyshimtë.
7.Islandë — Glacier Bank digjitale u rrëzua pa u hapur. Startup-i dështoi për shkak të mungesës së kapitalit real, mosplotësimit të kritereve të rregullatorit dhe rreziqeve teknologjike që u zbuluan në auditim.
8.Suedi — JAK Medlemsbank u detyrua të tërhiqet nga modeli digjital pasi konstatoi probleme me mungesën e fitimit, pati kosto të larta teknologjike dhe rrezik të lartë operacional.
9.Holandë — “Bunq” pati krizë të rëndë me rregullatorin. Ajo u përplas me bankën qendrore për AML të dobët, mungesë kontrollesh dhe fshirje automatike të verifikimeve të klientëve. Në vitin 2020 rregullatori kërkoi ndryshime të thella ose mbyllje të saj.
Por rastet më të rënda të dështimit total të bankave digjitale përfshijnë Gjermaninë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Wirecard në Gjermani pësoi kolaps global të sistemit digjital. Ajo rezultoi një mashtrim ndaj klientëve me vlerë 1.9 miliardë euro. Banka digjitale mbeti 100% e bllokuar dhe qindra mijëra klientë mbetën pa akses në para. Ky është rasti më i famshëm i dështimit të një “ecosystem digital bank”.
Fidor Bank, po në Gjermani, u mbyll. Ajo u ble nga një kompani franceze, por më pas u mbyll për shkak se modeli digjital nuk gjeneronte fitim dhe rreziqet operative ishin shumë të larta.
Simple Bank në SHBA, u mbyll në 2021 pasi modeli digjital nuk ishte i qëndrueshëm, kishte kosto teknologjike tepër të larta, mungesë fitimi dhe probleme të verifikimit të klientëve.
Të gjithë këto shembuj kanë treguar reziqet reale, nga pasiguria, skemat piramidale, mungesë transparence, mungesë të informacionit se kush janë pronarët reale, kush janë investitorët apo cili është kapitali.
Në shumë vende ka pasur raste kur bankat digjitale janë përdorur si platforma për fondacione të dyshimta, fonde private të paregjistruara qartë dhe kompani me llogari në parajsa fiskale.
Shqipëria po hap kështu Kutinë e Pandorës me licensimin e JET Bank. Në një vend ku një grup hakerash iranianë arritën t’i nxjerrin shtetit të gjitha sekretet, t’i marrin të gjitha të dhënat, të hyjnë edhe në sistemet bankarë të disa bankave të nivelit të dytë, një bankë digjitale është një këmbanë alarmi për qytetarët, që të kuptojnë se kjo mund të jetë “Sudja digjitale” e Shqipërisë.
Konsumatori është i pari që rrezikohet, si nga humbja e parave ashtu edhe nga operacionet e përditshme. Nëse një klienti i bllokohet llogaria, ai nuk ka se kujt të mund t’i drejtohet, nuk ka një sportel ku mund të shkojë. Nëse një biznes do të ketë probleme me llogarinë apo me një pagesë, askush nuk e di se sa ditë duhet të presë për ta zgjidhur problemin.
Banka e Shqipërisë thotë se “misioni i saj (JET Bank) është të prezantojë një model të ri shërbimi financiar, të ndryshëm nga modelet tradicionale bankare. Por ajo nuk sqaron se kush e kërkoi këtë bankë, a ka një analizë që tregon domosdoshmërinë e një subjekti të tillë dhe a ka mungesë shërbimesh digjitale në bankat ekzistuese? Aktualisht edhe bankat aktuale ofrojnë aplikacione, transfertat 24/7, llogari online, pagesa me kod, banking elektronik etj.
BSH ka sqaruar se “Banka e propozuar “Jet Bank”, do të zotërohet 100% nga shoqëria “Jet Holdings B.V.”, e regjistruar në Hollandë, e cila zotërohet nga një grup investitorësh ndërkombëtarë me mjaft përvojë në teknologji dhe fintech, ku kryesor është z. Idan Avishai, një investitor izraelito-britanik me një eksperiencë shumëvjeçare në financë.”
Banka e Shqipërisë duhet të sqarojë ndërkohë a është licensimi i “JET Bank” një nevojë reale apo një alibi për të futur një aktor të ri me qëllime të tjera në tregun shqiptar. Për më tepër “JET Bank” rezulton të jetë një sajesë tërësisht shqiptare, pasi ajo nuk ekziston në asnjë vend të botës, nuk ka operuar kurrë më parë dhe futja e saj në Shqipëri rezulton një eksperiment i pastër, me shumë rreziqe.
