U mor peng? Daniel Shima i AKSHI gropos “shokët”, prova e fortë e SPAK
Seanca për të akuzuarit e dosjes së AKSHI-t në Apelin e GJKKO-së është shtyrë për në 5 shkurt në orën 15:00.
Gjatë seancës së zgjatur për orë me radhë, palët kanë kërkuar zëvendësimin e masave të sigurisë.
Prokurorët Altin Dumani dhe Bledar Maksuti ishin të pranishëm në seancë, gjatë së cilës nuk pati vendimmarrje, por gjatë saj janë mësuar prova të reja.
SPAK ka paraqitur prova të reja, mes tyre edhe ajo e ish-numrit 2 të AKSHI-t, Daniel Shima, për të cilën u fol për pengmarrje dhe zhdukje.
Daniel Shima mësohet se është marrë në pyetje nga SPAK, ku është pyetur për disa orë para prokurorëve Bledar Maksuti dhe Altin Dumani. Ai ka treguar shumë të dhëna që përfshijnë drejtuesit e SPAK-ut, por ka implikuar edhe persona të tjerë.
Shima ka thënë para hetuesve të SPAK se të gjitha veprimet dhe vendimet e mia kanë qenë nën direktivat e eprorës sime, Mirlinda Karçanaj.
Ai ka folur për biznesmenët në kërkim, por deklarimet lidhur me ta nuk dihen. Daniel Shima ka thënë se AKSHI drejtohej nga Karçanaj dhe të gjitha vendimmarrjet e mia dirigjoheshin prej saj.
Shima është shmangur nga përgjegjësia juridike apo penale, duke thënë se gjithçka urdhërohej nga eprorja ime.
Një prej provave është se një kompani ka marrëdhënie tregtare duke marrë një automjet te Porsche Albania në vlerën 38 700 euro dhe më pas, nga kontrata në kontratë, për të humbur gjurmët, ky automjet përfundon te Artan Babameto, i cili rezulton bashkëshorti i Mirlinda Karçanajt, i cili e blen këtë makinë për 9 mijë euro.
Të gjitha këto kompani janë të lidhura me biznesmenin Ermal Beqiri. Flitet edhe për një kontratë qiraje të një apartamenti, e cila, edhe pse përfshin kompaninë e zotit Beqiri, lidhet drejtpërdrejt me kompaninë e zonjës Mirlinda Karçanaj.
Vendimi më 5 shkurt do të jepet nga gjyqtari Florjan Kalaja, ku drejtoresha e pezulluar e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, dhe zëvendësja e saj, Hava Delibashi, kërkojnë heqjen e masës “arrest shtëpie”.
Nga ana e tyre, prokurorët e çështjes, Altin Dumani dhe Bledar Maksuti, kërkojnë të mbeten në fuqi masat ekzistuese, përkundër pretendimeve të të pandehurve, nën argumentin se nuk rrezikojnë të prishin provat.
Sakaq, dy biznesmenët në kërkim, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, nuk kanë bërë ankim në Apel, ndërkohë që ndaj tyre nuk janë ekzekutuar masat e sigurisë.
Të pandehurit akuzohen se kanë vepruar në formën e grupit të strukturuar kriminal, duke abuzuar me tenderat e AKSHI-t.
