Pasi Banka e Shqipërisë vendosi të japë miratimin paraprak për licencimin e bankës JET Bank, për të ushtruar veprimtari bankare dhe financiare në Republikën e Shqipërisë, shumë prej ekspertëve të ekonomisë e kanë parë me skepticizëm hapjen e një banke digjitale në vendin tonë.
Tendenca për hapjen e bankave plotësisht digjitale në Shqipëri po prezantohet si një hap drejt modernizimit të sistemit financiar, por mungesa e një kuadri të qartë ligjor për sektorin financiar dhe digjital online përbën rrezik real për konsumatorët dhe stabilitetin financiar.
Shqipëria aktualisht nuk ka një ligj të dedikuar për bankat digjitale, fintech-un dhe shërbimet financiare online, duke e lënë këtë sektor të ri të mbështetet kryesisht në rregullore tradicionale bankare, të cilat nuk janë ndërtuar për realitetin digjital.
Rreziku për klientët dhe kursimet
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me mbrojtjen e depozitave dhe të dhënave personale. Në mungesë të rregullave të detajuara për sigurinë kibernetike, identifikimin online të klientëve dhe menaxhimin e të dhënave, ekziston rreziku i vjedhjes së të dhënave personale dhe financiare, mashtrimeve online, keqpërdorimit të identitetit të qytetarëve.
Një bankë digjitale, pa degë fizike, e bën më të vështirë për klientët të kërkojnë përgjegjësi apo zgjidhje në rast problemesh.
Pastrim parash?
Një tjetër rrezik lidhet me mbikëqyrjen institucionale. Pa një kornizë ligjore të posaçme për operimin online, autoritetet rregullatore mund të kenë vështirësi në monitorimin e transaksioneve në kohë reale, parandalimin e pastrimit të parave, kontrollin e burimit të kapitalit dhe strukturës së pronësisë. Shpesh here në Shqipëri, janë zbuluar institucione financiare, që kanë qënë të lidhura me banda kriminale, ku nëpërmjet tyre, pastroheshin paratë. Këto janë faktuar edhe nga prokuroria e Posaçme SPAK. Kjo situatë mund të krijojë hapësira për abuzime financiare dhe për hyrjen e kapitalit me origjinë të dyshimtë në sistemin bankar.
Bankat digjitale varen plotësisht nga platformat teknologjike. Çdo defekt teknik, sulm kibernetik apo ndërprerje sistemi mund të paralizojë shërbimet financiare për mijëra klientë njëkohësisht. Pa standarde ligjore të detyrueshme për rezerva teknike dhe plane emergjence, pasojat mund të jenë të rënda.
Inovacioni financiar nuk duhet të ecë më shpejt se ligji. Ndaj duhet miratimin e një ligji të veçantë për bankat dixhitale dhe fintech-un, rregulla të qarta për mbrojtjen e konsumatorit, transparencë mbi pronarët dhe modelet e biznesit, standarde të forta për sigurinë kibernetike.
Pa këto masa, hapja e bankave digjitale në Shqipëri, ndonëse moderne në dukje, mund të kthehet në një rrezik sistemik, duke cenuar besimin e publikut në sektorin bankar dhe stabilitetin financiar të vendit.
JET Bank e drejtuar nga izraelitë, merr monopolin dixhital! Fijet që e lidhin me mashtrimet Forex
Ndryshe nga të gjitha bankat e licencuara ose të blera në 20 vitet e fundit, aksionar kontrollues në bankën e re, të paktën deri në këtë moment, nuk është një shoqëri tregtare, por një individ.
Sipas Bankës së Shqipërisë dhe ekstraktit zyrtar të shoqërisë, në momentin e aplikimit për licencë kompania Jet Albania (JET Bank) zotërohej nga shtetasi me pasaportë britanikë, Idan Avishai. Avishai është i prezantuar ligjërisht si shtetas britanik, i lindur në Hadera të Izraelit, në 8 janar 1980. Kapitali fillestar i regjistruar i kompanisë është vetëm 3.5 milionë lekë.
Idan Avishai ka mbajtur deri tani një profil të ulët dhe informacioni publik rreth tij është i pakët.
Ndërkohë, përvoja e deritanishme e aksionarit zyrtar të JET Bank, Idan Avishai, sipas profilit të tij në rrjetet profesionale, është e lidhur kryesisht me aktivitetin e platformave të tregtimit online ose siç njihen në zhargonin financiar “platforma forex”.
Në një nga platformat profesionale, Idan Avishai, i prezantuar si pjesë e Leader Capital-Online CFD, e përshkruan veten si “një profesionist inovativ dhe me përvojë në marketing me një përvojë të fortë në sektorët e tregtimit online, duke përfshirë Kontratat për Diferencë (CFD) dhe këmbimin valutor (forex). Ai është gjithmonë në kërkim të sipërmarrjeve të reja emocionuese online CFD dhe forex, duke demonstruar angazhimin e tij për të avancuar peizazhin e tregtimit. Ai më parë ka mbajtur rolin e Drejtorit të Marketingut në Interlogic, ku luajti një rol vendimtar në udhëheqjen e strategjive të marketingut që përputheshin me vizionin dhe qëllimet e kompanisë. Me një fokus në marketingun dixhital dhe një pasion për financat, Idan ka lundruar me sukses në botën dinamike të tregjeve të tregtimit online. Ekspertiza e tij qëndron në zhvillimin e fushatave gjithëpërfshirëse të marketingut të dizajnuara për të angazhuar tregtarët dhe investitorët, duke nxitur njëkohësisht besnikërinë ndaj markës brenda industrisë konkurruese të tregtimit. Aftësitë e tij për të analizuar trendet e tregut dhe sjelljen e konsumatorit kanë hapur rrugën për strategji me ndikim dhe të bazuara në të dhëna që rezonojnë në mjedisin financiar me ritëm të shpejtë. Me vite përvojë në karrierën e tij, Idan Avishai vazhdon të shtyjë kufijtë duke eksploruar zgjidhje inovative të marketingut të përshtatura për tregtimin CFD dhe forex, duke kërkuar gjithmonë të rrisë angazhimin e përdoruesve dhe të përmirësojë përvojat e tregtimit,” thuhet në profilin e tij.
