Deputeti i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka ngritur sot alarmin për rrezikun serioz që paraqet Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) për sigurinë e të dhënave personale dhe pronat e qytetarëve shqiptarë.
Në një video-mesazh në rrjetet sociale, Shehaj deklaroi se AKSHI ka në dorë çdo informacion jetik për qytetarët, përfshirë të dhënat e pronësisë, shëndetit, biometriket, lëvizjet, gjobat dhe llogarivtë bankare, duke theksuar se ky është një rrezik i madh për çdo qytetar nën dritën e zbulimit nga SPAK se AKSHI kontrollohet nga bandat kriminale.
SPAK rrëmon te KADASTRA! Skandale që pritet të trondisin vendin…a do vihet drejtësia në vend?
Shehaj theksoi se sipas hetimeve të SPAK-ut, përmes AKSHI-t janë kryer ndërhyrje të paligjshme në Kadastrën Shtetërore, ku janë ndryshuar pronarë pronash.
Ai e cilësoi këtë situatë si një kërcënim të drejtpërdrejtë për pronën dhe sigurinë juridike të çdo qytetari.
“Është e paimagjinueshme që drejtoresha e AKSHI-t, e vendosur në arrest shtëpie dhe e cilësuar nga SPAK si pjesë e një bande kriminale, vazhdon të mbahet në detyrë nga Edi Rama, ndërkohë që ka akses mbi çdo të dhënë të jetës sonë,” u shpreh Shehaj.
Sipas tij, heshtja e kryeministrit Rama dhe mbajtja në detyrë e zyrtarëve nën hetim përbëjnë një rrezik serioz për demokracinë, pasi krijojnë kushte që të dhënat personale dhe pronësore të qytetarëve të përdoren për shantazh, presion apo manipulim.
Shehaj i bëri thirrje qytetarëve të reagojnë dhe të mos e normalizojnë këtë situatë, duke paralajmëruar se sot rrezikohen pronat, ndërsa nesër mund të vihet në rrezik vetë liria personale përmes keqpërdorimit të të dhënave biometrike.
“Qeveria Rama dhe bandat e saj kontrollojnë çdo aspekt të jetës sonë. Ka pasur raste kur kanë ndërruar pronarët e pronave. Sot janë pronat. Nesër me të dhënat tona biometrike mund të inkriminojnë kë të duan, kur të duan. Kjo nuk është demokraci. Jemi të gjithë pengje të Bandave!”, thotë Shehaj mes të tjerash.
Nuk dihet sesa bazë ka ky denoncim dhe a duhet ngritur një alarm kaq i madh, por nëse është e vërtet atëherë ky është skandali më i madh shtetëror.
Fjala e Agron Shehaj:
Para disa ditësh, një miku im më shkruajti e më tha: “Mora përgjigje të analizave të gjakut në e-Albania.
Çfarë do të thotë kjo, që Mirlinda Karçanaj dhe banda e saj, apo edhe qeveria, dinë çdo lloj informacioni? Dinë edhe përgjigjet e analizave të gjakut që mora unë?”
Përgjigja është: Po! Absolutisht, po.
Por jo vetëm kaq. Çfarë është më e rëndë, është që SPAK-u ka zbuluar që, nëpërmjet AKSHI-t, kanë futur duart në Kadastrën, kanë ndryshuar pronarët e disa pronave dhe për këtë po heton SPAK-u.
Është e paimagjinueshme pushteti që ka AKSHI, dhe drejtoresha e Edi Ramës që vazhdon të jetë në detyrë, pavarësisht se SPAK-u e ka vendosur në arrest në shtëpi.
Mund të fusin duart kudo! Kanë në dorë pronat tona.
Kanë çdo lloj informacioni që ka të bëjë me jetën tonë të përditshme: nga gjendja jonë shëndetësore, sëmundjet, ilaçet, hyrjet dhe daljet në Shqipëri, gjobat që marrim.
Çdo lloj informacioni që kalon nëpërmjet AKSHI-t është në dorë të Mirlinda Karçanaj, për të cilën SPAK-u thotë që është pjesë e një bande kriminale.
Dhe Edi Rama vazhdon ta mbajë në detyrë.
Duhet të zgjohemi! Është skandal ajo që po ndodh.
Jeta jonë, jeta e çdo qytetari të Shqipërisë, është në duart e Mirlinda Karçanaj, një anëtare e një bande kriminale, që Edi Rama vazhdon ta mbajë në detyrë.
