Bashkia Kamëz ka miratuar rritjen e çmimit të biletës së transportit publik nga 40 në 50 lekë. Vendimi është marrë nga Këshilli Bashkiak i Kamzës dhe mban firmën e kryetarit të Këshillit, Hysen Koldashi.
Sipas dokumentit zyrtar, kërkesa për rritjen e çmimit është paraqitur nga Shoqata për Transportin Urban dhe Interurban, e cila ka argumentuar nevojën për këtë ndryshim për shkak të kostove të larta të operimit.
Përveç biletës së zakonshme, është rritur edhe çmimi i aboneve mujore. Aboneti për qytetarët e Kamzës do të kushtojë 1,400 lekë, ndërsa aboneti i përgjithshëm është caktuar në 1,600 lekë.
Megjithatë, qytetarët shprehen të pakënaqur me këtë vendim, duke theksuar se transporti publik në Kamëz funksionon si monopol. Sipas raportimeve për InfoNews, në qytet operon vetëm një kompani, “Al Transport – Shpresa AL”, e cila mbulon si linjat brenda Kamzës, ashtu edhe ato që lidhin qytetin me Tiranën.
Banorët thonë se mungesa e alternativave e bën rritjen e çmimit edhe më të rëndë për buxhetin e familjeve, ndërsa kërkojnë nga Bashkia më shumë transparencë dhe mundësi për konkurrencë në shërbimin e transportit publik.



