Biznesmeni Behgjet Pacolli është paraqitur sot në Prokurorinë e Tiranës, në kuadër të hetimeve për konfliktin mes aksionarëve të Aeroportit të Vlorës. Mësohet se Pacolli është thirrur si person që ka bërë kallëzim, por njëkohësisht edhe si i kallëzuar nga Valdon Ademi, aksioner në projektin e aeroportit dhe pronar i kompanisë “2A Group”.
Aktualisht, Pacolli po merret në pyetje nga prokurori Ndini Tavani. Hetimet lidhen me një përplasje të ashpër mes ortakëve të konsorciumit që po ndërton aeroportin, e cila është intensifikuar javët e fundit.
Sipas të dhënave, procedimi penal është regjistruar ndaj tre personave: Behgjet Pacollit, vëllait të tij Emin Pacolli dhe Nelson Çelës, administrator i kompanisë mëmë në Zvicër, “Mabco Construction S.A.”.
Nga ana tjetër, Emin Pacolli akuzon ish-administratorin Valon Lluka, noteren Valbona Selimi dhe aksionerin në minorancë Valdon Ademi për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh, me qëllim marrjen e 47% të aksioneve të kompanisë “Vlora International Airport – VIA”.
Ndërkohë, Valdon Ademi pretendon se zotëron një akt noterial që vërteton shitjen e 47% të aksioneve nga Pacollët tek kompania e tij “2A Group” dhe se pagesa për këtë blerje është kryer në adresë të “Mabco Constructions SA”, e cila aktualisht kontrollon rreth 98% të aksioneve të VIA-s.
Hetimet janë shtrirë edhe në verifikimin e dokumenteve bankare dhe kontraktuale, përfshirë kontrolle në bankën BKT — ku është marrë një kredi prej 56 milionë euro — si dhe marrjen në pyetje të kontraktorëve të përfshirë në ndërtimin e aeroportit të Vlorës.
Projekti i Aeroportit të Vlorës është një nga investimet strategjike më të mëdha në infrastrukturën ajrore në vend. Hetimet pritet të zbardhin pretendimet e palëve dhe ligjshmërinë e transaksioneve të aksioneve brenda kompanisë koncesionare.
