Vrasja e 17-vjeçarit shqiptar Aleks Vangjeli në Greqi, arrestohet autori i dyshuar
Është arrestuar autori i dyshuar për vrasjen e 17-vjeçarit shqiptar Aleks Vangjeli, ngjarje e ndodhur një natë më parë në Lutraqi të Korinthit. Sipas burimeve policore, i dyshuari është një 17-vjeçar shtetas grek. Ai u shoqërua në drejtorinë lokale të policisë dhe gjatë marrjes në pyetje pranoi autorësinë e vrasjes së Aleks Vangjelit, si edhe plagosjen e shokut të viktimës, 19 vjeç.
Sipas dëshmisë së tij paraprake, konflikti ka nisur pas një sherri banal mes të rinjve. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.
Në pranga është vënë edhe nëna e të miturit, ndaj së cilës rëndojnë akuzat për lënie pa kujdes të të miturit dhe tentativë për fshehje provash. Sipas burimeve policore, ajo dyshohet se ka tentuar të çorientojë autoritetet duke pretenduar se autor i ngjarjes ishte 19-vjeçari i plagosur. Të arrestuarit pritet të dalin para gjykatës paraditen e së shtunës për caktimin e masës së sigurisë.
