Policia e Lezhës ka shpallur në kërkim drejtuesin teknik të punimeve në kantierin në zonën e Kunes në Shëngjin, ku pasditen e së enjtes humbi jetën punëtori 36-vjeçar, Anton Zefi.
Në një komunikim për shtyp policia bëri me dije se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë shpallën në kërkim shtetasin Sokol Toma, 52 vjeç, banues në Lezhë, me detyrë drejtues teknik i punimeve.
“Ky shtetas ishte drejtues teknik në firmën që po kryente punimet për ndërtimin e pallatit, ku gjatë punës, dyshohet se aksidentalisht, humbi jetën punëtori, shtetasi A. Z., 36 vjeç, banues në fshatin Pllanë, Lezhë”, njoftoi policia.
Ndaj Tomës janë ngritur akuzat “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Punësimi i paligjshëm”. Materialet në lidhje me rastin i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, ndërsa vijon puna për kapjen e 52-vjeçarit.
Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se punëtori 36-vjeçar ishte i pasiguruar. Gjithashtu, hetuesit kanë konstatuar shkelje të rregullave të sigurisë në punë në kompleksin e pallateve që po ndërtohej në zonën e Kunes.
Ngjarja e rëndë ndodhi të enjten rreth orës 16:30. Shtetasi Anton Zefi, banues në fshatin Pllanë, ra aksidentalisht nga kati i pestë i objektit në ndërtim, në vendin ku ishte parashikuar të instalohej ashensori. Për shkak të plagëve të rënda të marra, ai gjeti vdekjen e menjëhershme.
Ky rast e thellon bilancin tragjik të aksidenteve në punë në zonën turistike të Shëngjinit, e cila po njeh një fluks të lartë ndërtimesh. Vetëm në harkun kohor të një viti, ky është punëtori i katërt që humb jetën në kantieret e kësaj zone.
Aksidentet me pasojë vdekjen në sektorin e ndërtimit mbeten një problem sistemik në vend, shpesh të lidhura me mungesën e masave të sigurisë teknike dhe tregun informal të punës.
Pas ngjarjes së djeshme, deputeti i opozitës në Lezhë, Gjin Gjoni, akuzoi autoritetet për lejimin e ndërtimeve pa kritere teknike dhe pa leje. “Ndërtimet shumëkatëshe po ngrihen pa asnjë kriter teknik, shpesh pa leje, dhe me bekimin e institucioneve që duhet të jenë roje të ligjit, jo bashkëpunëtorë të shkeljes së tij”, shkroi Gjoni, duke kërkuar hetim për ndërtimet në zonë.
