Shtatë persona janë arrestuar të dyshuar si autorët e shpërthimit të lëndës plasëse në automjetin e Oltjon Klosit më 10 mars, ngjarje e ndodhur në rrugën “Vasil Ndocka” në kryeqytet. Klosi është një person me precedent penal, e dyshohet se motiv për vënien e tritolit të jetë aktiviteti i tij në Spanjë.
Të arrestuarit janë Jurgen Gjonaj, 32 vjeç, Renato Balla, 25 vjeç, Kristjan Ahmerama 24 vjeç dhe Eklips Leti 27 vjeç, për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, e kryer në bashkëpunim; dhe Glentjan Kojtari 29 vjeç, Dorjan Hamolli 34 vjeç dhe Geris Molla 19 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, e kryer në bashkëpunim.
Porositësi i vendosjes së tritolit dyshohet se është Sabah Nuzi, i burgosur në burgun e Fushë-Krujës dhe i akuzuar si vrasës me pagesë e të tjera vepra të rënda penale. Nuzi është pjesë e grupit kriminal të Aurel Hoxhës dhe i akuzuar si ekzekutori i 22-vjeçart Klevis Lleshi më 2020 për llogari të Sabah Nuzit.
32-vjeçari Jurgen Gjonaj është personi që ka vendosur dhe shpërthyer lëndën eksplozive i ndihmuar nga Kristjan Ahmerama, Renato Balla dhe Eklips Leti, duke i siguruar fotot dhe vendndodhjen e automjetit të dëmtuar, biçikletën me të cilën ka lëvizur autori, banesën ku është strehuar si dhe sasinë e lëndës eksplozive të vendosur.
Ndërsa Geris Molla, Dorjan Hamolli dhe Dorjan Hamolli kanë shoqëruar me automjet Jurgen Gjonajn për të vendosur tritolin.
“Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Porosia”.
Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 10.03.2026, në rrugën “Vasil Ndoçka”, ku shpërtheu një sasi lënde plasëse në automjetin në pronësi të një shtetasi.
Vihen në pranga 7 shtetas, të përfshirë në ngjarje, në formën e një grupi të strukturuar kriminal, shtetas me precendent të theksuar kriminal.
Sekuestrohen biçikleta e përdorur në ngjarje, rrobat e autorit të përdorura gjatë saj, automjetet me të cilat kanë lëvizur të dyshuarit dhe aparatet celularë të tyre.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në rrugën “Vasil Ndoçka”, ku në automjetin në pronësi të shtetasit O. K. shpërtheu një sasi lënde plasëse (me pasoja vetëm dëme materiale), kanë organizuar operacionin policor “Porosia”, me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarjeje, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, administrimit të provave në vendngjarje, si dhe këqyrjes së kamerave në akse të ndryshme rrugore përmes të cilit dyshohet se mund të ishin larguar autorët, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes.
Në vijim të veprimeve proceduriale për këtë rast:
-u ndaluan shtetasit J. G., 32 vjeç, R. B., 25 vjeç, K. A., 24 vjeç dhe E. L., 27 vjeç, për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, e kryer në bashkëpunim;
-u ndaluan shtetasit G. K., 29 vjeç, D. H., 34 vjeç dhe G. M., 19 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, e kryer në bashkëpunim;
-u bë ndalimi me iniciativë për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv” ndaj shtetasit S. N., 33 vjeç, aktualisht në IEVP.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi J. G. është personi që ka vendosur dhe shpërthyer lëndën eksplozive, i cili është ndihmuar nga shtetasit K. A., R. B. dhe E. L., duke i siguruar fotot dhe vendndodhjen e automjetit të dëmtuar, biçikletën me të cilën ka lëvizur autori, banesën ku është strehuar si dhe sasinë e lëndës eksplozive të vendosur. Ndërkohë, Shtetasi S. N., aktualisht në IEVP Fushë-Krujë, i akuzuar për vepra të rënda kriminale, dyshohet se është personi që ka porositur vendosjen e lëndës plasëse në automjetin e shtetasit O. K.
Më tej, shtetasit G. K., 29 vjeç, D. H., 34 vjeç dhe G. M., 19 vjeç, kanë transportuar me automjet, më datë 10.03.2026 autorin e vendosjes së eksplozivit, shtetasin J. G.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
