SKANDAL/ Wolt Albania kërcënon motoristët! Kush proteston, ikën!
Një nga motoristët që punon për shërbimin e shpërndarjes së porosive të kompanisë Wolt pretendon se është kërcënuar me largim nga puna për shkak të pjesëmarrjes në protestë. Ai thotë se disponon fotografi dhe mesazhe që, sipas tij, dëshmojnë paralajmërimet e marra nga kompania.
Ndërkohë, dhjetëra motoristë protestuan të dielën në Bulevardi i Ri, pranë ish-stacionit të trenit në Tirana, duke kërkuar përmirësim të kushteve të punës dhe rishikim të tarifave të pagesës.
Kjo nuk është hera e parë që motoristët e kësaj kompanie dalin në protestë. Ata protestuan edhe më 30 shtator 2024, kur sipas tyre u arrit një mirëkuptim paraprak me përfaqësuesit menaxherialë të degës së kompanisë në Shqipëri. Megjithatë, punonjësit thonë se pakënaqësitë janë rikthyer, çka i ka shtyrë të ndërmarrin sërish veprime proteste.
Motoristët deklarojnë se një nga format e reagimit është edhe refuzimi për të pranuar porosi në aplikacion, ose siç e përshkruajnë vetë ata, “të qëndrojnë offline”.
“Përderisa ne po punojmë për 300 lekë kilometri, nuk ia vlen të ndezësh motorin,” tha një nga protestuesit.
Më 9 mars, motoristët i dërguan një shkresë kompanisë dhe zyrave të saj nënkontraktuese, ku paraqitën një sërë kërkesash lidhur me kushtet e punës. Në njoftimin e tyre ata shprehin pakënaqësi për uljen e ndjeshme të tarifave të shërbimit dhe kërkojnë që asnjë prej motoristëve protestues të mos penalizohet apo të nxirret “offline” nga aplikacioni.



