OSHEE ka finalizuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike për karikimin e makinave elektrike, duke e justifikuar me disa arsye që, në fakt, nuk qëndrojnë.
Një nga arsyet e përmendura është se nuk mund të parashikohet konsumi që vjen nga makinat elektrike. Sipas drejtuesve të OSHEE-së, ky konsum është i paparashikueshëm dhe ndryshon çdo ditë. Por kjo nuk është aspak e vërtetë.
Ashtu si çdo konsumator tjetër, edhe përdoruesit e makinave elektrike kanë një sjellje mesatarisht të qëndrueshme në kohë. Nuk ndodh që të gjitha makinat të karikohen në të njëjtën orë dhe më pas të shkëputen njëkohësisht nga rrjeti. Përkundrazi, me rritjen e numrit të makinave elektrike, konsumi bëhet më uniform gjatë ditës, pasi ngarkesat shpërndahen në periudha të ndryshme.
Pra, kjo nuk është aspak një arsye e vlefshme për rritjen e çmimit të energjisë.
Një tjetër arsye që OSHEE përmend është se bizneset që ofrojnë karikim përfitohen, duke blerë energjinë me çmim të ulët dhe duke e shitur më shtrenjtë. Por pyetja që lind është:
A ka OSHEE ndonjë mandat ligjor për të kontrolluar fitimin e bizneseve private? Apo thjesht, siç ndodh rëndom në Shqipëri, po kërkon të marrë pjesën e vet sapo sheh që një sektor po zhvillohet?
Duhet sqaruar se kompanitë që ofrojnë shërbimin e karikimit të makinave elektrike janë biznese të regjistruara, që paguajnë taksa, kanë investuar për blerjen e pajisjeve, paguajnë mirëmbajtje, punonjës dhe kosto administrative. Fitimi që ato kanë nuk është vetëm diferenca mes çmimit të blerjes dhe shitjes së energjisë, por përfshin shpenzime reale dhe investime të konsiderueshme.
Prandaj, para se të gjykojë fitimin e tyre, OSHEE duhet të kuptojë modelin e biznesit dhe vlerën që këto kompani po sjellin në zhvillimin e mobilitetit të gjelbër në vend.
Por le të ndalemi pak tek vetë OSHEE.
Në shumë zona rurale të Shqipërisë, kabinat elektrike dhe linjat janë ndërtuar me investimet e vetë qytetarëve, ndërkohë që OSHEE vazhdon të mbledhë të njëjtin çmim energjie si në zonat urbane. Megjithatë, në shumë prej këtyre zonave, niveli i tensionit bie nën normat e lejuara, duke dëmtuar pajisjet elektrike të konsumatorëve.
Detyra e OSHEE-së është të garantojë që çdo konsumator të furnizohet me energji elektrike brenda standardeve teknike, jo të rrisë çmimet pa përmirësuar shërbimin.
Nëse OSHEE justifikon rritjen e çmimit me argumentin se kjo ndihmon për të garantuar furnizim të qëndrueshëm për bizneset e karikimit, atëherë pse nuk parashikohet një ulje e çmimit për ato biznese që kanë instaluar panele diellore dhe kontribuojnë realisht në stabilitetin e rrjetit?
Ndërkohë, edhe vetë Kryeministri ka deklaruar se kjo rritje nuk prek konsumatorin privat. Por pyetja është: çfarë kuptimi ka kjo deklaratë, nëse pikat publike të karikimit përdoren pikërisht nga konsumatorët privatë që zotërojnë makina elektrike?
Në praktikë, çdo drejtues i një makine elektrike është konsumator privat, i cili tashmë do të paguajë më shumë për një shërbim që teorikisht duhet të ishte më i lirë dhe më i përballueshëm, në funksion të nxitjes së transportit të gjelbër.
Pra, ky argument i qeverisë është jo vetëm kontradiktor, por tregon mungesë koherence në politikat që duhej të mbështesnin kalimin drejt energjisë së pastër.
Në fund, pyetja që duhet bërë është kjo:
A po kërkon OSHEE të mbështesë zhvillimin e teknologjive të reja dhe kalimin drejt energjisë së pastër, apo thjesht të rrisë fitimet e veta, pa marrë parasysh cilësinë e shërbimit dhe drejtësinë ndaj konsumatorëve?
