Aldi Mustafa, emër i njohur për policinë dhe i lidhur me grupin kriminal të njohur si “Rrumi i Shijakut”, është arrestuar disa herë gjatë viteve të fundit.
Më 30 shtator 2023, ai u ndalua në Durrës së bashku me Klevis Kurdin, 27 vjeç, ndërsa qarkullonin me armë në makinë. Sipas policisë, Mustafa kishte planifikuar një vrasje dhe ishte në lëvizje për të ekzekutuar objektivin e tij, i cili ende nuk është bërë publik.
Burime hetimore tregojnë se Mustafa kishte dy ditë që lëvizte në qytet për të marrë hak pas vendosjes së tritolit në makinën e tij, më 3 prill 2023, ngjarje e mbetur ende pa autor. Para hetuesve, ai ka refuzuar të japë deklarime.
Mustafa, 37 vjeç, njihet si person me precedent të rëndë kriminal dhe si bashkëpunëtor i afërt i Aleksandër Lahos, i njohur ndryshe si “Rrumi i Shijakut”, një figurë e përfolur në disa ngjarje kriminale, përfshirë edhe atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja.
Edhe më parë ai ka rënë në prangat e policisë. Më 30 gusht 2021, Mustafa u arrestua me dy persona të tjerë, pasi akuzohej se po planifikonte një vrasje.
Pas këtij arrestimi, u dënua me 2 vite burg për armëmbajtje pa leje, mosbindje ndaj urdhrit të policisë dhe drejtim të parregullt të automjetit. Megjithatë, më 30 dhjetor 2022, gjykata i shfuqizoi masën e arrestit me kërkesë të tij.
Karriera kriminale e Mustafës nuk kufizohet vetëm në Shqipëri. Ai rezulton i dënuar më parë me 10 vite burg në Gjermani për veprat penale të “kanosjes” dhe “prodhimit e shitjes së narkotikëve”.
Pavarësisht dosjeve të shumta hetimore dhe akuzave të përsëritura për përfshirje në ngjarje të rënda kriminale, mbetet e paqartë se si Mustafa ka arritur të dalë herë pas here në liri.
