Nuk paguan tarifat, Pelikani Mondialpol i Vesel Demiraj përfundon në gjyq! E denoncoi AKEP
Shoqëria “Pelikani Mondialpol” sh.a., e drejtuar nga Vesel Demiraj, po përballet me një proces gjyqësor në Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, pas një padie të ngritur nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).
Sipas të dhënave të çështjes, të siguruara nga InfoNews.al paditësi pra AKEP kërkon që pala e paditur Pelikani Security të paguajë detyrimet financiare ndaj AKEP dhe buxhetit të shtetit në shumën 303,599 lekë. Këto detyrime lidhen me tarifat për shërbimet e radiokomunikacionit, të përcaktuara sipas rregullave përkatëse për përdorimin e këtyre shërbimeve.
Çështja ndodhet aktualisht në fazën e gjykimit dhe gjykata Administrative ka bërë shpalljen publike për zhvillimin e procesit gjyqësor.
Seanca gjyqësore është caktuar të mbahet më 22 prill 2026, ndërsa gjyqtare e çështjes do të jetë Dorentina Mulaj. Ndërkohë, në qendër të seancës gjyqësore do të mbetet kërkesa e AKEP për shlyerjen e detyrimeve financiare të pretenduara nga institucioni rregullator ndaj shoqërisë “Pelikani Mondialpol” sh.a.
Në vijim pritet që gjykata të shqyrtojë provat dhe pretendimet e palëve për të marrë një vendim përfundimtar mbi këtë çështje.
