Sot Tirana do të jehojë nga thirrjet për drejtësi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë si të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Qindra protestues me flamujt kuqezi dhe flamujt e UÇK-së janë nisur nga Kosova drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës e cila do të nisë në orën 17:00 në Sheshin “Skënderbej”. Protesta organizohet me moton “Liria ka emër” nga veteranët e UÇK-së.
Në këtë tubim do të mbajë fjalë ish-presidenti shqiptar Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Po ashtu, protestës pritet ti bashkohet edhe kryebashkiaku i Prishtinës, Përparim Rama, por edhe Lutfi Haziri, një nga drejtuesit kryesorë të LDK-së.
Nga politika shqiptare, protestës pritet t’i bashkohen edhe deputetët e PS, ndërsa PD ka refuzuar të marrë pjesë. I vetmi që i ka dalë nga “rreshti” Sali Berishës, ishte Fatmir Mediu, që në seancë e djeshme plenare tha se do të jetë i pranishëm në protestë. Eskorta e presidentes Vjosa Osmani u pa duke kaluar në kufi por ka mbërritur në Tiranë për një vizitë dhe më pas do largohet drejt Prishtinës.
