Kompania hakmerret… Motorristët e Wolt në protestë prej një jave në Tiranë
Motorristët që punojnë për platformën e shpërndarjes Wolt kanë hyrë në ditën e shtatë të protestës së tyre në Tiranë, duke kërkuar përmirësim të kushteve të punës dhe rritje të pagesave.
Protestuesit shprehen se puna që kryejnë çdo ditë nuk reflektohet në të ardhurat që marrin, ndërsa sipas tyre mungojnë edhe garancitë bazë të punësimit. Ata pretendojnë se janë penalizuar nga aplikacioni i kompanisë, duke u nxjerrë “offline”, çka sipas tyre përbën një formë presioni ndaj punonjësve që kanë zgjedhur të protestojnë.
Sipas motorristëve, janë zbuluar edhe mesazhe të dërguara nga menaxherja e deleguar e kompanisë, ku paralajmërohet se kushdo që merr pjesë në protestë mund të konsiderohet i larguar nga puna. Në mesazh thuhet gjithashtu se forma e pagesës me përqindje dhe jo me rrogë fikse ka qenë e qartë që në fillim të bashkëpunimit, duke shtuar se kushdo që nuk është dakord mund të ndërpresë marrëdhënien e punës.
Protesta e tyre zhvillohet çdo ditë përgjatë një itinerari të caktuar në kryeqytet, duke nisur nga Sheshi Nënë Tereza, për të vijuar në Bulevardi Zogu I, më pas drejt Bulevardi i Ri dhe Unaza e Tiranës, për t’u rikthyer sërish në Sheshin Nënë Tereza.
Motorristët paralajmërojnë se nuk do ta ndalin protestën derisa kërkesat e tyre të plotësohen.
