Tentoi arratisjen në orët e para të mëngjesit të së mërkurës Bledar Selmanaj, pasi çau murin e qelisë duke e goditur me grushta. Selmanaj, i paraburgosur dhe i akuzuar për vrasjen e shokut të tij në Vlorë, Xhuljan Bullarit, është në pritje të dënimit, ndërsa prokuroria ka kërkuar burgim të përjetshëm.
Burime zyrtare nga DPB thanë se Selmanaj, pasi mbështolli duart me peshqirë dhe çarçafë, goditi murin e qelisë në katin e parë, duke hapur një të çarë në të. Pas kësaj, ai doli në oborrin e burgut dhe u ngjit në tarracë nëpërmjet tubave të kullimit. Aty, sipas burimeve konfidenciale nga burgu i Fierit, Selmanaj kishte përgatitur një litar me të cilin do të zbriste për të vazhduar arratisjen.
Por stafi i sigurisë së burgut arriti ta kapë, duke e dërguar përsëri në qeli, këtë herë jo në qeli të zakonshme, por në izolim. Drejtori i Burgjeve, Klevis Qose, organizoi menjëherë një takim inspektimi dje në burgun e Fierit.
