Policia e Gjirokastrës ka zbardhur ngjarjen e rëndë të vrasjes së biznesmenit italian Edoardo Sarchit, ngjarje e ndodhur në orët e para të së shtunës (27 shtator). Burime bëjnë me dije se një person nga Vlora është shpallur në kërkim nga policia. Sipas të njëjtave burime, ai është Kamber Sulçaj 48 vjeç nga fshati Mesaplik i Vlorës.
Motiv i krimit dyshohet të ketë qenë një konflikt banal. Siç mësohet, mes autorit të dyshuar dhe viktimës, si dhe personave që e shoqëronin atë, pati një konflikt të çastit. Ky debat u përshkallëzua më pas deri në përdorimin e armës.
Grupi hetimor i Policisë dhe Prokurorisë së Gjirokastrës ka në dispozicion prova të vlefshme që dokumentojnë ngjarjen. Konkretisht, përmes kamerave të sigurisë në segmente të ndryshme rrugore, hetuesit kanë mundur të dokumentojnë itinerarin e lëvizjes së autorit të dyshuar përmes makinës së tij ngjyrë të bardhë.
MOTIVI I VRASJES
Autori i dyshuar fillimisht është konfliktuar verbalisht për motive të dobëta me biznesmenin italian dhe me personat që shoqëronin këtë të fundit. Sherri nisi për dritat e gjata të makinës. Më pas, autori Kamber Sulçaj dyshohet se ka qëlluar me armë me vjaska (çifte e kalibrit të rëndë) në drejtim të tyre në aksin “Nivicë-Salari”, ku si pasojë e të shtënave, humbi jetën 44-vjeçari Edoardo Sarchi. Siç mësohet, plumbi bëri rikoshet në asfaltin e rrugës dhe preku 44-vjeçarin italian duke i shkaktuar vdekjen për shkak të hemorragjisë.
PROVAT
Policia e Gjirokastrës ka sekuestruar makinën dhe veshjet që kishte përdorur autori i dyshuar gjatë krimit. Makina dhe veshjet ishin fshehur në një stan në një zonë të thellë malore midis fshtrave Nivicë dhe Bolenë. Gjithashtu në këtë zonë, u gjet e hedhur në shkurre, një çantë në të cilën ishin 1 palë dylbi me rreze infra, 1 palë dylbi termike, 1 mbajtëse arme dhe 1 elektrik dore.
Ndërsa në banesën e 48-vjeçarit dhe në banesat e familjarëve të tij, në fshatin Mesaplik dhe në Vlorë, u gjetën rreth 2 500 000 lekë (në valutat lekë dhe euro), 3 armë gjahu me municion luftarak (saçme dhe vjaska), 450 fara të dyshuara kanabis dhe 2 kasaforta të mbyllura.
