31-vjeçari Juxhin Koka do të dalë sot në GJKKO për t’u njohur me masën e sigurisë. Koka u ekstradua nga Spanja pasi SPAK e akuzon se ka korruptuar punonjësit e policisë dhe ka vjedhur bashkë me persona të tjerë 200 mijë litra naftë nga një anije që ishte ankoruar në portin e Durrësit në muajin janar.
Ndaj tij, në shkurt, GJKKO i caktoi ‘arrest në burg’ për tre akuza: Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike, kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës dhe vjedhje kryer në bashkëpunim.
Më 13 tetor, SPAK mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim Juxhin Kokën dhe 10 të tjerë. Sipas organit të akuzës, Juxhin Koka, në bashkëpunim me Mohammad Sallit, me detyrë kapiten i anijes, Nedio Mejdani, me detyrë oficer i parë i anijes, dhe Hasan Broud, Sami Shanata, Faez Ismaeil, Wissam Rostom, marinarë të anijes me flamur tunizian realizuan të gjithë veprimtarinë kriminale.
Nga hetimet rezultoi se Juxhin Koka dhe Drilon Malluta i ofruan 10.000 euro policit Armand Marvataj, që kishte për detyrë të ruante anijen e sekuestruar në Porto Romano, me qëllim që të lejonte nxjerrjen e sasisë së naftës së sekuestruar nga anija. Shuma e parave që polici kishte marrë ryshfet, u gjet dhe sekuestrua në banesën e Marvataj.
Nafta kontrabandë u nxorr nga anija më datë 27 janar 2025, në bashkëpunim me ekuipazhin e anijes, Samir Bayoumy me detyrë inxhinier i tretë dhe përgjegjës teknik i anijes, marinarët, Hasan Broud, Sami Shanata, Faez Ismaeil, Wissam Rostom dhe Abdoulmohaimen Shanata.
