Cirk policisë së Shkodrës! Si i la blof Barush Bregu
Barush alias Bajram Bregu, i njohur ndryshe si krahu i djathtë i Ibrahim Licit, është personi i shpallur në kërkim nga Policia e Shkodrës pasi ditën e djeshme qëlloi në ajër me armë zjarri dhe arriti të arratisej. Ngjarja ndodhi në lagjen Kiras teksa Barush Bregu ishte pasagjer në një automjet që drejtohej nga Ervis Baba, tashmë i arrestuar. Ky i fundit nuk iu bind urdhrit të patrullës për të ndaluar për kontroll. Së bashku me të është arrestuar dhe 1 i mitur që ishte gjithashtu pasagjer.
Lagja e Kirasit e njohur si bastion i grupit Lici, dje u ‘blindua’ nga forca të policisë që zhvilluan kontrolle me qëllim lokalizimin dhe kapjen e tij, por pa sukses. Dyshimet e policisë janë se Bregu mund të ketë shfrytëzuar komunikimin e brendshëm mes oborreve dhe bahçeve të shtëpive në Kiras, të cilët dyshohet se kanë dyer të ndërmjetme gjë që ka favorizuar atë që të arratiset.
Barush Bregu është gjithashtu shpallur në kërkim 1 ditë pas vrasjes së dyfishtë të ndodhur në Shkodër më 8 shtator 2025, i dyshuar si personi që i siguroi armën autorit Ragip Gila. Bregu njihet si një nga njerëzit kryesorë të vrasjeve për llogari të grupit Lici.
