Call Center Facile.it hidhet në gjyq!
Pushimi nga puna pa respektuar procedurat dhe rregullat e Kodit të Punës mbetet një fenomen i përhapur në shumë biznese në Shqipëri.
Në shumë raste punonjësit largohen pa paralajmërim dhe pa kompensimet që parashikon ligji, ndërsa vetëm një pjesë e vogël vendosin t’i drejtohen gjykatës për të kërkuar të drejtën e tyre.
Një rast i tillë siç mëson skyweb.al është regjistruar së fundmi në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.Sipas dokumenteve të siguruara, paditëse është shtetasja Erisa B. ish-punonjëse e kompanisë italiane të call center-it Facile.it Broker di Assicurazioni Srl Albania Branch, degë e një shoqërie italiane e regjistruar në Shqipëri me seli pranë Njësisë Bashkiake nr. 5 në Tiranë.
Sipas padisë, e reja pretendon se është larguar nga puna në fund të vitit 2025 në mënyrë të menjëhershme dhe pa shkaqe të justifikuara.
Për këtë arsye ajo i është drejtuar gjykatës duke kërkuar dëmshpërblim financiar që në total arrin në rreth 14 paga mujore.
Në kërkesën e saj në gjykatë, punonjësja kërkon:
• Konstatimin e pavlefshmërisë së zgjidhjes së menjëhershme të kontratës së punës nga punëdhënësi pa shkaqe të justifikuara.
• Detyrimin e kompanisë për të paguar dëmshpërblim për zgjidhje të menjëhershme dhe të pajustifikuar të kontratës së punës, sipas Nenit 155 të Kodit të Punës, në masën e 12 pagave mujore.
• Dëmshpërblim për mosrespektimin e procedurës së zgjidhjes së kontratës së punës, në vlerën e 2 pagave mujore.
• Dëmshpërblim për mosrespektimin e afatit të njoftimit për zgjidhjen e kontratës individuale të punës, gjithashtu në vlerën e 2 pagave mujore.
• Pagesën për ditët e papërdorura të lejes vjetore deri në përfundimin e afatit të njoftimit, në masën e 15 ditëve pagë.
• Pagesën e pagave të papaguara për muajt shtator dhe tetor 2025, në vlerën 282,522 lekë bruto.
Sipas të dhënave të siguruara nga dokumentet gjyqësore, kompania është njoftuar zyrtarisht për procesin dhe duhet të paraqitet në gjykatë për të dhënë shpjegimet e saj lidhur me largimin nga puna të ish-punonjëses.
Rasti është një nga shembujt e shumtë të konflikteve të punës që përfundojnë në gjykatë, ku punonjësit pretendojnë se janë larguar nga puna në mënyrë të paligjshme dhe kërkojnë kompensimin financiar që parashikon ligji. Për shumë punonjës në Shqipëri, rruga gjyqësore mbetet shpesh e vetmja mënyrë për të kërkuar rikthimin e të drejtave të tyre.
