Në zonën e Ilirisë, në rrugën “Pavarësia” pranë plazhit në Durrës, ndërtimi i një pallati 9-katësh ka sjellë shqetësim për dhjetëra familje të cilat jetojnë në pallatin pranë. Banorët kontaktuan redaksinë tonë të Citizens.al për të referuar ankesat e tyre.
Banorët pretendojnë se projekti i ri nuk po respekton distancat sipas parametrave ligjorë, dhe rrezikon sigurinë e themeleve të pallatit të tyre.
Leja e ndërtimit për objektin e ri është dhënë nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU) më 25 qershor 2025. Ai po zhvillohet nga kompanitë “AKM Group” dhe “Bega-07” sh.p.k.
Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me përdorimin e një hapësire që, sipas banorëve, është pronë private në shërbim të pallatit ekzistues, por që në dokumentacion është paraqitur si “rrugicë ekzistuese”.
Ata e konsiderojnë këtë si një manipulim për të shmangur kufizimet ligjore dhe për të justifikuar ndërtimin, duke theksuar se kjo hapësirë përdoret realisht nga banorët dhe nuk mund të trajtohet si rrugë publike.
Në ankesë përmendet gjithashtu se ka pasur ndërhyrje fizike në terren, përfshirë tentativën për prishjen e një muri ndarës mes pronave, çka ka sjellë përfshirjen e policisë dhe kërkesën për ndërhyrje nga Inspektorati i Ndërtimit.
“Me qëllim që të ruajmë jetën, shëndetin, pasurinë, nga veprimet e kundërligjshme që na cenojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë, duhet të shfuqizohet vendimi nr. 26, i qershorit të 2025 nga KKTU, pasi vjen në kundërshtim me ligjin,” citohet në një letër që banorët i kanë dërguar KKTU-së dhe Këshillit të Ministrave.
Një nga banorët, Agim Lisha, tha se kishte punuar për pallatin ku banon aktualisht dhe i frikësohej sigurisë së themeleve të tij.
“Është pllakë, nuk është me blinda. D.m.th. këtu as nuk ka hekura mbrojtës pallati anash. Veç është nxjerrë betoni dhe kanë filluar kolonat. Në qoftë se ky lloj pallati gërmohet në mënyrë të paligjshme anash, pallati në krah shembet,” tha Lisha për Citizens.
Pronarët e tokës i thanë gazetarëve të Citizens se ata nuk kishin lidhje me mënyrën sesi po zhvillohej projekti dhe se për ta sqaruar më mirë situatën sugjeruan që të kontaktoheshin ndërtuesit.
Nga kompania na u tha se shembja e murit ndarës dhe rrethimi i kantierit ishte sipas vendimit për lejen.
“Jemi 12 metra larg nga objekti dhe në përputhje me lejen e ndërtimit që kemi marrë,” u shprehën ndërtuesit duke hedhur poshtë pretendimet e banorëve.
Megjithatë, banorët, të cilët më 30 mars ishin në zyrat e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Durrës, për të paraqitur ankesat e tyre, thanë se ata kishin marrë një sugjerim verbal nga punonjësit e këtij inspektorati që në rast se kompania do të vepronte mbi murin ndarës të viheshin në dijeni dhe të njoftohej edhe policia.
Citizens i është drejtuar për koment IKMT-së dhe Agjencisë së Zhvillimit të Territorit në lidhje me këtë situatë të paqartë dhe shqetësuese për banorët e rrugës “Pavarësia” dhe nëse do të ketë rishikime për lejen e dhënë.
