AMP del bllof ? Prokuroria rrëzon arrestimin e policit, urdhëron lirimin e menjëhershëm
Operacioni i bujshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), i koduar “Basti i Fundit”, duket se ka marrë një kthesë të papritur vetëm një ditë pas publikimit të rezultateve.
Më 7 korrik, AMP njoftoi se kishte goditur një aktivitet të dyshuar të paligjshëm të lojërave të fatit dhe basteve sportive në zonën e “Tregut Fshatar” pranë Fushë-Krujës. Sipas njoftimit zyrtar, kontrolli u zhvillua në një bar-kafe në pronësi të Ahmet Stafukës.
Një ditë më vonë, AMP bëri të ditur arrestimin e efektivit të Policisë së Shtetit, Lutfi Dervishi, me detyrë Ndihmës Specialist i Policisë në Komunitet për zonën e Fushë-Krujës. Ai u akuzua për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.
Por zhvillimet kanë marrë një tjetër drejtim.
Sipas informacioneve të siguruara nga Prokuroria e Tiranës, arrestimi i efektivit është vlerësuar i paligjshëm nga organi i akuzës, i cili ka urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm.
Ky zhvillim hedh pikëpyetje mbi procedurat e ndjekura nga AMP gjatë operacionit “Basti i Fundit”, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë reagim zyrtar nga Agjencia lidhur me vendimin e Prokurorisë.
Ndërkohë, në burg vijojnë të mbahen të arrestuar Sabah Stafuka dhe Fatmir Stafuka, banues në Arrameras, Fushë-Krujë. Ata akuzohen për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Operacioni “Basti i Fundit”, i prezantuar fillimisht si një goditje ndaj lojërave të fatit të paligjshme, tashmë është shoqëruar me një përplasje mes AMP-së dhe Prokurorisë, pas lirimit të efektivit të policisë me urdhër të organit të akuzës.
