Europa që duam? Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së për krime lufte
Hagë – Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallën aktgjykimin e shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas një procesi gjyqësor që zgjati gati gjashtë vjet nga arrestimi i tyre.
Trupi gjykues shpalli fajtorë Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin për një sërë krimesh lufte, ndërsa rrëzoi akuzat për krime kundër njerëzimit, duke vlerësuar se Prokuroria nuk arriti t’i provojë ato përtej standardit të kërkuar.
Sipas aktgjykimit, katër ish-krerët e UÇK-së u shpallën penalisht përgjegjës për ndalim arbitrar ose të paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Për këto vepra, gjykata shqiptoi këto dënime:
* Hashim Thaçi – 25 vjet burgim
* Jakup Krasniqi – 25 vjet burgim
* Kadri Veseli – 18 vjet burgim
* Rexhep Selimi – 13 vjet burgim
Në fillim të shpalljes së aktgjykimit, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari amerikan Charles Smith, theksoi se procesi gjyqësor nuk kishte për qëllim të gjykonte luftën e UÇK-së si të tillë dhe as shtetin e Kosovës.
Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe, për rrjedhojë, nuk është përfundimtar. Palët kanë të drejtë ta kundërshtojnë atë në procedurën e apelit pranë Dhomave të Specializuara.
Vendimi shënon një nga momentet më të rëndësishme gjyqësore që lidhen me periudhën e luftës në Kosovë, ndërsa procesi i apelimit mund të përcaktojë nëse këto dënime do të mbeten në fuqi, do të ndryshohen apo çështja do të kthehet për rishqyrtim.

