Alarmi i ministrit grek: Call Centerat nga Tirana po na zhvasin qytetarët me mashtrime
Mashtrimet telefonike alarmojnë Greqinë, ministri: Qendra thirrjesh në Shqipëri, Shkup dhe Bullgari
Mashtrimet telefonike janë kthyer në një fenomen shqetësues në Greqi, ku grupe të organizuara kriminale kanë ngritur qendra thirrjesh me qëllim mashtrimin e qytetarëve, kryesisht të moshuarve. Aktiviteti i këtyre grupeve nuk është i kufizuar vetëm brenda territorit grek, por po shtrihet edhe në vende të tjera të rajonit.
Ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarëve, Michalis Chrysochoidis, e cilësoi fenomenin si një “epidemi” dhe njoftoi për krijimin e një strukture të përhershme operative për luftimin e këtyre skemave të mashtrimit.
“ mashtrimet telefonike janë një epidemi në vendin tonë. Mashtruesit janë kryesisht romë”, deklaroi Chrysochoidis gjatë një interviste për Mega.
Sipas ministrit, personat e përfshirë në këto skema po i drejtohen gjithnjë e më shumë kriminalitetit dhe arrijnë t’u marrin viktimave pasurinë në mënyrë të shpejtë.
“Këta njerëz janë kthyer drejt kriminalitetit dhe po kthehen ngadalë drejt këtij krimi, i cili është i tmerrshëm. Në kuptimin që ata shumë lehtë ua marrin pronën njerëzve. Dhe kjo është tragjike, është dramatike”, u shpreh ai.
Qendra thirrjesh në Shqipëri, Shkup dhe Sofje
Chrysochoidis theksoi se fenomeni tashmë ka marrë përmasa ndërkombëtare dhe nuk mund të trajtohet vetëm si një problem i Greqisë.
“Sot kemi një takim për të parë më tej se si do të krijojmë struktura të forta për t’u përballur me këtë problem. Sepse nuk është vetëm grek, është pan-evropian”, tha ministri.
Ai kujtoi se autoritetet greke kanë zhvilluar hetime dhe operacione të shumta, duke çuar në arrestimin dhe burgosjen e një numri të konsiderueshëm personash. Megjithatë, sipas tij, grupet kriminale po riorganizohen dhe po shfaqen sërish.
“Ka pasur hetime dhe arrestime të mëdha, shumë prej tyre janë në burg. Por në të njëjtën kohë, ato po shumëfishohen nga prapa”, deklaroi Chrysochoidis.
Një nga aspektet më shqetësuese është shtrirja ndërkombëtare e rrjeteve kriminale. Sipas ministrit grek, grupet e mashtruesve kanë ngritur qendra thirrjesh edhe jashtë Greqisë.
“Domethënë, ka një qendër thirrjesh në Shqipëri, për shembull, ka një qendër thirrjesh në Shkup, në Sofje”, tha ai, duke i cilësuar ato si “grupe specifike transnacionale” që bashkëpunojnë për kryerjen e mashtrimeve.
Përveç mashtrimeve telefonike, aktiviteti kriminal përfshin edhe mashtrime elektronike, ku sipas autoriteteve bëhet fjalë për shuma shumë më të mëdha parash.
Ministri iu referua gjithashtu operacioneve dhe arrestimeve të zhvilluara nga autoritetet greke, përfshirë FBI-në greke dhe Sigurinë e Atikës. Sipas tij, lufta ndaj këtij fenomeni kërkon tashmë një strukturë të përhershme dhe një strategji të organizuar në mënyrë të vazhdueshme.
Chrysochoidis u shfaq optimist për rezultatin e kësaj beteje, duke deklaruar se autoritetet do të vijojnë ndjekjen e grupeve kriminale.
“Jini të sigurt për këtë: Ne do t’i arrestojmë të gjithë, na duhet vetëm një strukturë e përhershme dhe një politikë operative e përhershme për t’i dhënë fund kësaj gjëje”, përfundoi ministri grek.

