Rama shkeli Besën! Marta Kos për Sazanin dhe Zvërnecin: Shqipëria duhet të shfuqizojë ligjin për zonat e mbrojtura
Në përgjigjen ndaj 11 eurodeputetëve të grupimit të majtë, Komisioni Evropian thotë se Shqipëria duhet të shfuqizojë ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura dhe të përfundojë ligjin e vitit 2015 për investimet strategjike.
Eurodeputetët Emma Fourreau, Marc Botenga, Danilo Della Valle, Sebastian Everding, Hanna Gedin, Anja Hazekamp, Marina Mesure, Arash Saeidi, Ilaria Salis, Jonas Sjöstedt dhe Anthony Smith i kërkuan Komisionit Evropian të shprehej mbi projektet turistike në Sazan dhe në zonën e mbrojtur Vjosa–Nartë, të cilat sipas tyre financohen nga fondi i investimeve të Jared Kushner.
Rama shkel Besën! Plazhi publik nuk është më falas: Bashkitë tarifojnë çadra dhe shezlongë
“Si e vlerëson Komisioni përputhshmërinë e investimeve në pasuri të paluajtshme të lidhura me familjen e një kreu shteti jashtë BE-së me standardet e transparencës dhe qeverisjes së mirë që priten nga vendet që synojnë anëtarësimin në BE?”, ishte një nga pyetjet drejtuar Komisionit Evropian nga eurodeputët e majtë.
Në përgjjigjen e saj Marta Kos nuk jep një vlerësim specifik për investimet e lidhura me familjen Trump, por thekson investimet e huaja mund të sjellin përfitime, me kusht që të jenë transparente dhe në përputhje me rregullat kombëtare dhe të BE-së.
Përgjigja e Komisioneres Kos përforcon edhe njëherë qendrimin se Shqipëria duhet të përmbushë kriteret për mbylljen e Kapitullit të 27-të, atë të mjedisit, duke shfuqizuar ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura në vitin 2024 dhe atë të investimeve strategjike.
“Kushtet për mbylljen e kapitullit kërkojnë shprehimisht që Shqipëria të përafrohet me acquis-in e BE-së për mbrojtjen e natyrës, përfshirë shfuqizimin e dispozitave të papajtueshme të futura përmes ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe përfundimin e legjislacionit të vitit 2015 për investimet strategjike”, thuhet në përgjigjen ndaj eurodeputetëve.
Sipas Komisionit Evropian, Shqipëria duhe të përafrojë legjislacionin e saj me acquis-in mjedisor të BE-së, përfshirë Direktivën për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, Direktivën për Vlerësimin Strategjik Mjedisor, Direktivën e Shpendëve dhe Direktivën e Habitateve.
“Shqipëria të dëshmojë kapacitet të mjaftueshëm për menaxhimin e zonave të ardhshme Natura 2000 dhe të sigurojë masa efektive për ruajtjen e tyre, duke parandaluar përkeqësimin e habitateve dhe të gjendjes së specieve”, thuhet më tej në përgjigjen e dhënë nga Komisioneria Marta Kos.
Në pyetjen drejtuar Komisionit, eurodeputetët ngritën shqetësimin se zhvillimet turistike mund të rrezikojnë ekosistemet bregdetare dhe detare, biodiversitetin dhe habitatet e specieve të kërcënuara. Ata theksuan gjithashtu se Sazani ndodhet brenda Parkut Kombëtar Detar Karaburun–Sazan, i cili është i përcaktuar si Zonë e Mbrojtur Veçanërisht me Rëndësi për Mesdheun (SPAMI).
Në përgjigje, Komisionerja Evropiane për Zgjerimin Marta Kos u shpreh se Komisioni Evropian po ndjek nga afër projektin në zonën e Pishë Poro-Nartës.
“Ky projekt, ashtu si të gjitha projektet në zhvillim në Shqipëri, do të duhet të jetë në përputhje me kushtet e përcaktuara në kuadër të Kapitullit 27”, thuhet më tej në përgjigjen drejtuar eurodeputetëve.
Sipas Kos, qeveria e Shqipërisë e ka siguruar Komisionin se do të kryhet një Vlerësim i Plotë i Ndikimit në Mjedis dhe se do të respektohen standardet evropiane të mjedisit dhe se Komisioni ka inkurajuar autoritetet shqiptare të vazhdojnë të ndërmarrin hapa në mbështetje të përmbushjes së kushteve për mbylljen e kapitullit dhe të avancojnë në rrugën e tyre drejt BE-së.
“Komisioni do të monitorojë nga afër përmbushjen e këtyre kushteve”, përmbyllet përgjigja nga Komisioni Evropian.
Në letrën e tyre, 11 eurodeputetët e grupit të majtë e lidhën zhvillimin e projekteve turistike në Sazan dhe Vjosa–Nartë me një debat më të gjerë mbi mbrojtjen e pasurive natyrore të Shqipërisë.
Ata argumentuan se demonstratat kundër projekteve pasqyrojnë shqetësimin se territori i Shqipërisë po zhvillohet në favor të interesave private të investitorëve shumë të pasur. Sipas tyre, projektet hotelierike paraqesin rrezik për ekosistemet bregdetare dhe detare, biodiversitetin dhe habitatet e specieve të kërcënuara.

