Problemi teknik te Albcontrol, reagon TIA: Jemi në gatishmëri, situata drejt normalizimit
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) ka reaguar pas pezullimit të përkohshëm të fluturimeve në hapësirën ajrore shqiptare, duke sqaruar se situata u shkaktua nga një problem teknik i përkohshëm në sistemin e monitorimit të trafikut ajror të Albcontrol.
Sipas TIA, fluturimet u pezulluan për disa minuta si masë sigurie, ndërsa problematika u adresua menjëherë. Aktualisht, po punohet për rikthimin sa më të shpejtë të operacioneve në normalitet.
Deri tani, situata ka sjellë 5 fluturime të anuluara, 1 fluturim të riplanifikuar për ditën e nesërme, 12 fluturime me vonesa në nisje dhe 3 fluturime me vonesa në mbërritje.
Çfarë ndodhi në qiellin shqiptar? Albcontrol: Rikthyem normalitetin për 30 minuta
Aeroporti bën me dije se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet përkatëse dhe kompanitë ajrore, ndërsa po menaxhon pasagjerët e prekur nga vonesat dhe ndryshimet në oraret e fluturimeve.
TIA ka angazhuar numrin maksimal të stafit në dispozicion për të mbështetur operacionet në terminal dhe për të garantuar menaxhimin sa më efikas të situatës.
“Ekipet tona janë në gatishmëri të plotë dhe po bëjnë maksimumin për të përshpejtuar rikthimin e operacioneve në normalitet”, thuhet në reagimin e aeroportit.
Pasagjerëve u është kërkuar të kontrollojnë rregullisht njoftimet dhe komunikimet nga kompanitë e tyre ajrore për informacionet më të fundit mbi statusin e fluturimeve.
Njoftimi:
Për shkak të një problemi teknik të përkohshëm në sistemin e monitorimit të trafikut ajror nga Albcontrol, fluturimet në hapësirën ajrore shqiptare u pezulluan për pak minuta si masë sigurie.
Problematika u adresua menjëherë dhe aktualisht po bëhen të gjitha përpjekjet për rikthimin sa më të shpejtë të operacioneve në normalitet.
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha autoritetet përkatëse dhe kompanitë ajrore, ndërsa po menaxhon pasagjerët e prekur nga vonesat dhe ndryshimet në oraret e fluturimeve.
TIA ka angazhuar numrin maksimal të stafit në dispozicion për të mbështetur operacionet në terminal dhe për të garantuar menaxhimin sa më të shpejtë të situatës. Ekipet tona janë në gatishmëri të plotë dhe po bëjnë maksimumin për të përshpejtuar rikthimin e operacioneve në normalitet.
Pasagjerët këshillohen të kontrollojnë rregullisht njoftimet dhe komunikimet e kompanive të tyre ajrore për informacionin më të fundit mbi statusin e fluturimit.
Siguria e pasagjerëve mbetet prioriteti kryesor.

