Çfarë ndodhi në qiellin shqiptar? Albcontrol: Rikthyem normalitetin për 30 minuta
TIRANË- Sistemet e kontrollit të trafikut ajror në hapësirën shqiptare kanë pësuar një avari teknike pasditen e kësaj të premteje, duke dalë jashtë funksionit për rreth 30 minuta.
Sipas njoftimit zyrtar nga kompania “Albcontrol”, defekti ndodhi rreth orës 17:30, çka solli fikjen e menjëhershme të sistemeve të monitorimit.
Megjithatë kompania njofton se, ekspertët ndërhynë me urgjencë për të marrë masat e sigurisë dhe për të shmangur çdo rrezik të mundshëm për mjetet fluturuese që ndodheshin në ajër. Falë reagimit në kohë, rreth orës 18:00, “Albcontrol” bëri me dije se u arrit rikthimi i 90% të funksioneve normale të sistemit, ndërsa po punohet për rikuperimin e plotë të tij.
Njoftim për mediat:
“Sot në orën 17:30 për shkak të një problemi teknik janë fikur sistemet e trafikut ajror. Ekspertët e Albcontrol kane marrë të gjitha masat për të shmangur çdo rrezik për avionët në hapësirën ajrore dhe janë angazhuar për rikthimin e sistemeve në punë.
Rreth orës 18:00 u arrit që 90% e sistemeve të rikthehen në funksionet normale dhe ndërkohë po punohet për të rikuperuar edhe pjesën tjetër të tyre. Falë reagimit në kohë dhe me profesionalizëm u bë e mundur që të shmangej bllokimi i trafikut ajror në hapësirën tonë.”, njofton Albcontrol.

