GJKKO e la në burg, reagon Ergys Agasi: Nuk jam kriminel
“Nuk kam qenë asnjëherë pjesëmarrës në tenderë, nuk kam pasur asnjë përfitim financiar nëpërmjet tenderimit dhe aq më pak të kem qenë pjesë e grupeve kriminale”. Këto janë deklarimet që dha para togave të zeza Ergys Agasi, i arrestuar nga forcat e policisë pasditen e 26 gushtit, pas 8 muajve në arrati në kërkim nga SPAK. Dëshminë e tij e zbardhi avokati i tij mbrojtës, Maks Haxhia në përfundim të senacës që zgjati më shumë se 4 orë.
Avokati tha se do të bnakimojnë akuzën e korrupsionit pasiv që është shtuar ndaj Agasit.
“Sot erdhi me një akuzë të re, korrupsion pasiv. Pasiguria e materialit të paraqitur deri më tani e ka ndjekur SPAK deri më sot dhe kështu për të qëndruar në pozitat e presionit ndaj gjykatës dhe për ti thënë opinionit që jemi këtu, sot u paraqit kjo akuzë.
Prokuroria nuk solli aasnjë moment, asnjë pasazh filmimi nga këto. Të takosh një njeri që nuk është kriminel, nuk është vepër penale mesa di unë. Ne po kërkojmë provat e prokurorisë, ku qëndron korrupsioni”, tha Haxhia.
Ndaj Agasit, Gjykata e Posacme kishte caktuar masën ‘arrest në burg’ në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-T, si i dyshuar në krye të një grupi kriminal që përmes konkurrencës së pandershme, presioneve dhe ndikimit paracaktonte tenderat në këtë institucion.
Sipas hetimeve, mbi 1.05 miliardë lekë dhe mbi 470 mijë euro, janë paguar nga disa kompani, në llogaritë e kompanisë ‘EA Solution’ të Ergys Agasit, përfshirë dhe gati 1 milion euro verëra të shtrenjta. Pagesat janë bërë formalisht për shërbime të ndryshme, por siç rezultoi nga hetimet, ato ishin në të vërtetë shpërblim i dhënë për fitimin e tenderëve të AKSHI-t, falë lidhjeve të ngushta që Agasi kishte, sipas SPAK, me drejtoreshën e këtij institucioni Mirlinda Karçanaj, dorëhequr pas marrjes së saj si e pandehur.
Agasi akuzohet për të paktën 7 vepra penale, mes të cilave grup i strukturuar kriminal, “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Më vonë atij iu shtua edhe akuza e ‘korrupsionit’.
Biznesmenit Ergys Agasi i janë sekuestruar në total 29 prona, mes të cilave apartamente, vila dhe sipërfaqe toke, në zona të njohura në Tiranë dhe Durrës, disa llogari bankare dhe kompania EA Solution. Në mesin e aseteve të sekuestruara është edhe një pjesë e “Equos Resort”.
Bashkë me të në kërkim ishte shpallur edhe biznesmeni Ermal Beqiraj, i cili u arrestua një muaj më parë në Francë teksa fluturonte me avion privat mbi një central bërthamor dhe që ndodhet në paraburgim në proces ekstradimi drejt vendit tonë. Në hetim për dosjen e AKSHI-t, në masën e sigurisë “detyrim paraqitje” ndodhet ish drejtuesja e këtij institucioni, Mirlinda Karçanaj.

