EKSKLUZIVE/ Shoferi i Ergys Agasit, kapet edhe Uljan Shpataraku
Ergys Agasi është arrestuar nga forcat e Operacionales në Durrës, pasi ishte shpallur në kërkim prej dhjetorit 2025.
Në momentin e arrestimit, në drejtimin e automjetit ku ndodhej Agasi ishte Uljan Shpataraku, një person i shumëkërkuar nga Policia e Shtetit dhe ish-zyrtar i Policisë së Shtetit.
Shpataraku u shpall në kërkim në 6 gusht të këtij viti, pasi teksa ka qenë me pushime në një hotel në Dhërmi, dyshohet se ka kërcënuar me jetë kamarierin dhe administratorin, pasi nuk i kishte pëlqyer ushqimi.
Stafi i hotelit ka bërë kallëzim pranë Komisariatit të Himarës ku blutë kanë shpallur në kërkim ish-zyrtarin e policisë.
Në maj, Skënder Hita e përjashtoi Shpatarakun nga radhët e Policisë për mosparaqitje në detyrë me argumentin se vijonte studimet. Ai mbante detyrën e asistentit në Departamentin e Teknologjisë së Informacionit në Policinë e Shtetit dhe njihej si një nga të besuarit e Ilir Prodës.
Agasi ishte në kërkim prej dhjetorit 2025, kur SPAK lëshoi urdhër-arrest ndaj tij në kuadër të hetimeve për dosjen e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Arrestimi i tij u krye nga forcat e Operacionales në Durrës.

