Sokrat Vata i futi thikën në këmbë, rrëfehet francezi: Shokun ma vrau
Vetëm rreth 6 minuta ka zgjatur përplasja e ndodhur katër ditë më parë në Ksamil, ku humbi jetën turisti portugez Luis Miguel Varela Mendes. Në konflikt, përveç viktimës, është plagosur edhe një tjetër person, i cili është goditur me thikë në këmbë.
Në kuadër të hetimeve, shtetasi francez Tourpal Khitaev ka dhënë deklarim në prani të një përkthyesi zyrtar të gjuhës franceze. Ai ka treguar dinamikën e konfliktit dhe ka identifikuar si personin që e ka goditur me thikë shtetasin Sokrat Vata.
Sipas dëshmisë, Khitaev kishte qenë në klubin “Principote” duke festuar së bashku me miqtë e tij. Pas përfundimit të mbrëmjes, ata kanë dalë nga klubi, kanë zbritur shkallët dhe janë vendosur pranë shezlloneve të plazhit.
Khitaev ka deklaruar se ishte duke biseduar me shokun e tij Ibrahim, ndërsa pjesa tjetër e grupit ndodhej pak më larg. Në atë moment, pranë tyre kanë qenë edhe tre persona, të cilët, sipas dëshmisë, u kanë thënë të ziheshin “si burra”. Khitaev u është përgjigjur se nuk po ziheshin dhe se po bënin shaka.
Pak më tej ndodhej një person tjetër, i cili, sipas tij, ishte i dehur dhe po bërtiste. Në këtë moment kanë dalë dy persona, të identifikuar si punonjës të lokalit, të cilët u kanë kërkuar të mos bërtisnin.
Sipas dëshmisë së francezit, njëri prej tyre, i veshur me rroba të bardha, me pak mjekër dhe flokë gështenjë, e ka tërhequr nga krahu. Ky person, sipas Khitaev, mbante një thikë në dorë dhe e ka goditur atë në këmbë.
Më pas situata është përshkallëzuar. Khitaev ka deklaruar se personi me të bardha e ka ofenduar, ndërsa më pas e ka kapur për fyti dhe e ka goditur me kokë në fytyrë. Ai ka thënë se është kundërpërgjigjur duke e goditur.
Konflikti është zgjeruar më tej, pasi në vendngjarje kanë mbërritur persona të tjerë dhe janë përfshirë edhe shokët e Khitaev. Në këtë moment, sipas dëshmisë, Luis Miguel Varela Mendes është futur në konflikt me qëllim që të ndalonte personat që po e godisnin shokun e tij.
Khitaev ka deklaruar se më pas ka parë Luisin duke u konfliktuar me dy ose tre persona të veshur me bluza të zeza. Ndërkohë, personi me rroba të bardha, i cili mbante thikën në dorë, po i kërcënonte ata.
Sipas dëshmisë, një prej personave e ka kapur Khitaev dhe e ka larguar nëpërmjet zonës së shezlloneve. Kur është kthyer, ai ka parë personin me rroba të bardha duke hequr këmishën. Në të, sipas tij, dalloheshin njolla gjaku. Më pas ai është larguar në drejtim të rrugës.
Khitaev ka sqaruar se nuk e ka parë momentin kur Luis Miguel është goditur me thikë, por ka deklaruar se ka parë personin që e mbante thikën gjatë konfliktit.
Në vijim të marrjes në pyetje, kur është pyetur nëse e njihte personin që mbante thikën dhe që e kishte goditur atë në këmbë, Khitaev është përgjigjur pozitivisht.
Pas paraqitjes së fotografisë së shtetasit Sokrat Vata, ai e ka identifikuar atë si personin që, sipas tij, mbante thikën në dorë dhe e kishte goditur në këmbë.
Dëshmia e shtetasit francez është pjesë e materialeve të mbledhura nga grupi hetimor për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit që përfundoi me vdekjen e turistit portugez në Ksamil.

