InfoNews mëson detaje të reja nga atentati i ndodhur mbrëmjen e kaluar në Elbasan.
Sipas burimeve, autori ka qenë i veshur me xhup dhe dyshohet se ka qenë i maskuar edhe me paruke. Sapo është afruar në verandën e lokalit, ai ka qëlluar 7 herë me armë zjarri, pistoletë, duke plagosur Renaldo Mançen, 31 vjeç, dhe Armand Tomorricën, 32 vjeç. Nga të shtënat është plagosur edhe kamarieri i lokalit, Bjorgi Hoxha, 19 vjeç.
Menjëherë pas atentatit, autori është larguar nga vendi i ngjarjes. Brenda lokalit ndodhej edhe një oficer policie jashtë shërbimit, i cili ishte së bashku me dy fëmijët e tij. Sapo ka parë ngjarjen në verandën e lokalit, polici, edhe pse nuk kishte armën e shërbimit me vete, është vënë në ndjekje të autorit. Gjatë ndjekjes, autori ka hedhur pistoletën në tokë.
Ngjarja ndodhi në lagjen “Banesa”, e cila në Elbasan njihet si një zonë problematike.
Burime policore bëjnë me dije për InfoNews se asnjëri nga tre të plagosurit nuk ka qenë objektivi i atentatit. Sipas të njëjtave burime, objektiv i sulmit ka qenë një person tjetër, i cili ndodhej në lokalin ku ndodhi ngjarja. Personi në fjalë ka arritur t’u shpëtojë plumbave dhe ka mbetur i padëmtuar.
Policia vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të atentatit.
