Gent Sejko i Bankës Shqiptare: Të ndalohet arrestimi im!
Guvernatori dhe Zëvendësguvernatorët e Bankës së Shqipërisë pritet të përfitojnë mbrojtje të posaçme ligjore nga arrestimi, ndalimi dhe kontrollet personale ose të banesës. Ky parashikim është pjesë e projektligjit të ri “Për Bankën e Shqipërisë”, i hartuar nga banka qendrore dhe i publikuar për konsultim nga Ministria e Financave.
Çfarë parashikon projektligji?
Sipas nenit 72 të draftit, Guvernatori dhe Zëvendësguvernatorët nuk mund të arrestohen, të privohen nga liria ose t’i nënshtrohen kontrollit personal apo të banesës pa autorizimin paraprak të Gjykatës Kushtetuese.
Përjashtim nga kjo rregull do të ketë vetëm në rastet kur zyrtarët kapen në flagrancë ose gjatë ndjekjes menjëherë pas kryerjes së një vepre penale.
Në çdo situatë tjetër, prokurori i çështjes duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar autorizimin për arrestim ose kontroll.
https://infonews.al/i-hetuar-per-mashtrim-pjese-e-jet-bank-gent-sejko-i-bsh-mbylli-syte/
Afati për vendimin e Gjykatës Kushtetuese
Projektligji përcakton se Gjykata Kushtetuese duhet të shprehet brenda dy javëve nga paraqitja e kërkesës.
Nëse nuk merret një vendim brenda këtij afati, kërkesa e prokurorisë do të konsiderohet automatikisht e refuzuar.
Si krahasohet me vendet europiane?
Mbrojtja e propozuar për drejtuesit e Bankës së Shqipërisë është më e gjerë se ajo që zbatohet në disa vende europiane.
Në Gjermani, Itali, Francë, Belgjikë dhe Britaninë e Madhe, guvernatorët e bankave qendrore mund të arrestohen pa pasur nevojë për autorizim paraprak nga një institucion tjetër kombëtar.
Në vendet e Bashkimit Europian, një mbrojtje e kufizuar lidhet me funksionin e guvernatorëve si anëtarë të Këshillit Drejtues të Bankës Qendrore Europiane. Në këto raste, autorizimi i Bankës Qendrore Europiane kërkohet vetëm për çështje që lidhen drejtpërdrejt me ushtrimin e detyrës europiane dhe jo për akuza që kanë të bëjnë me veprime private ose me vepra penale, si korrupsioni.
Rastet e mëparshme në Shqipëri
Shqipëria ka pasur më parë raste të arrestimit të guvernatorëve të Bankës së Shqipërisë.
Në shtator të vitit 2014, ish-guvernatori Ardian Fullani u arrestua me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pas skandalit të përvetësimit të 713 milionë lekëve në Departamentin e Emisionit të Monedhës.
Në përfundim të procesit gjyqësor, Fullani u shpall i pafajshëm dhe më pas përfitoi dëmshpërblim financiar për shkarkimin nga detyra.
Një tjetër ish-guvernator, Ilir Hoti, u arrestua në vitin 1993 për shpërdorim detyre. Masa e sigurisë u mor disa muaj pasi ai ishte larguar nga posti.
Si ndryshon procedura?
Aktualisht, legjislacioni shqiptar njeh forma imuniteti për Presidentin e Republikës, Kryeministrin, ministrat, deputetët dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Për shumicën e këtyre funksionarëve, autorizimi për heqjen e imunitetit jepet nga Kuvendi.
Projektligji i ri për Bankën e Shqipërisë propozon një procedurë tjetër. Vendimi për arrestimin ose kontrollin e Guvernatorit dhe Zëvendësguvernatorëve do të merret nga Gjykata Kushtetuese, duke e lënë Kuvendin jashtë këtij procesi.
