GJKKO zgjat hetimet për dosjen e Renis Dobrës, SPAK kërkon kohë deri në tetor
///
Gjykata e Posaçme ka vendosur zgjatjen me 3 muaj të afateve të hetimit për vëllezërit Fation, Aleksandër dhe Bushgjokaj, si dhe për Petrit Hoxhaj alias “Çakri”, të dyshuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Renis Dobrës.
Gjatë seancës gjyqësore, SPAK kërkoi më shumë kohë për përfundimin e veprimeve hetimore, duke argumentuar se deri në muajin tetor nevojitet administrimi i akteve të ekspertimit dhe kryerja e disa veprimeve të tjera hetimore që, sipas prokurorisë, mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Kërkesa e SPAK u kundërshtua nga avokati Erjon Kullolli, mbrojtës i Fation Bushgjokajt. Ai pretendoi se organi i akuzës ka pasur kohën e nevojshme për të përfunduar hetimet, por ende nuk ka kryer të gjitha veprimet procedurale.
Sipas akuzës, vëllezërit Bushgjokaj dhe Petrit Hoxha dyshohen se kanë rrëmbyer dhe vrarë Renis Dobrën, ndërsa më pas kanë tentuar të fshehin gjurmët duke e hedhur trupin në liqenin e Shkopetit. Hetimet dyshohet se lidhen me përplasje mes palëve për çështje që kanë të bëjnë me trafikun e drogës.
Ndërkohë, pak javë më parë, vëllezërit Bushgjokaj u përfshinë në një incident brenda ambienteve të GJKKO-së, ku dhunuan të pandehurin Petrit Hoxha alias “Çakri”. Sipas pretendimeve të tyre, reagimi erdhi pasi ai kishte bërë deklarata që i implikonin në vrasjen e Dobrës.
