Kadastra u interesua në SPAK për Tur Shehun, hetimet për Shkollën e Biçikletave, lidhje mes të hetuarve dhe kompanive A&AMIV, Klajger Construction, NG Structures dhe Kryon.83
////
Një truall me vlerë qindra milionë lekë, i ndodhur pranë stadiumit “Air Albania” dhe i shpronësuar nga shteti për ndërtimin e “Shkollës së Biçikletave”, ka dalë në qendër të hetimeve të SPAK. Dosja e operacionit të fundit, ku u goditën emra të njohur të krimit të organizuar dhe biznesit në kryeqytet, zbulon një skemë të dyshuar për përfitimin e fondeve publike përmes transaksioneve të shumta të pronësisë dhe procedurave të shpronësimit. Mes përfituesve të kompensimit koka e kartelit ‘Bello’ Denis Matoshi, i njohur si Eldi Dizdari, Artur Shehu dhe Elton Memeti.
Kështu duket se ndodhi edhe me truallin e ish-aneksit të “Qemal Stafës”, i cili kishte kaluar përmes një historie të ndërlikuar dhurimesh, bashkëpronësie, kontratash sipërmarrjeje, revokimesh dhe kërkesash për zhvillim.
Rreth 880 m² në këtë zonë lidhen me Eldi Dizdarin, i njohur edhe si Denis Matoshi, emër i lakuar nga autoritetet për përfshirje në trafik droge. Hetimi ndaj Dizdarit për kontratat e dhurimit nga Q.G., E.G. dhe O.D. mundësoi të dhënat e para mbi këtë truall.
Në nëntor 2021, sekuestrimi i pjesës së Dizdarit u bë pikënisje e hulumtimit të imtësishëm të prapavijës së gjithë pronës. Prej tyre u zbuluan veprime të shumta dhurimi nga bashkëpronarët e truallit edhe drejt Artur Shehut, Elton Mehmetit dhe personave të tjerë që, sipas hetimit, lidheshin më pas me rrjete të trafikut të drogës.
Sipas dosjeve, E.G., D.G. dhe E.R. i kanë dhuruar 330 m² Shehut, të përfaqësuar nga Leonard Bishaj, gjithashtu nën hetim. Ngjashëm ka përfituar 100 m² Xh.D. dhe 50 m² A.Çela i arrestuar si i dyshuar për trafik droge.
Shkolla e Biçikletave si Autoshkollë Pastrimi Parash! Prapavija e një shpronësimi publik…
Në vitin 2022, pak para se qeveria të vendoste shpronësimin e ish-aneksit të stadiumit, Shehu ia dhuroi sipërfaqet e përfituara Xh.D.-së dhe partneres së vëllait të A.Çela.
SPAK vlerëson se ky zinxhir dhurimesh ishte pjesë e së njëjtës lëvizje që synonte fshehjen e pronarëve përfitues.
Paralelisht bashkëpronarëve u ishin marrë firmat për zhvillimin e truallit nga kompania A&AMIV, e Klodian Liçajt, i njohur edhe si Joanis Liaçis. Por, sipas SPAK, A&AMIV ishte regjistruar rishtazi dhe nuk kishte as kapitalin dhe as licencat e nevojshme për të siguruar leje ndërtimi.
Kontratat më pas u zhvendosën te kompania “Kryon.83” e Adrian Ramës.
Në letër, ndryshimi i kontratave mund të jetë lëvizje normale mes pronarëve dhe zhvilluesve. Por për SPAK-un, kjo tregon se kush e kontrollonte realisht drejtimin e zhvillimit të pronës atje.
Dyshimet shtohen nga bisedat e përfituara nga komunikimet në Sky ECC, ku të dyshuarit flasin për blerje parcelash te ish-aneksi i stadiumit dhe mundësinë që aty të bëheshin pallate.
Por gjërat duket se ndryshuan kur parcela e lidhur me Dizdarin u sekuestrua dhe u vu nën sekuestro. Në këtë mënyrë, “Shkolla e biçikletave” u vendos mbi një truall që, sipas SPAK-ut, kishte qenë objekt interesash nga grupe kriminale.
Pas bllokimit të parcelës së Dizdarit, ata që përfituan më shumë nga shpronësimi duket se ishin pikërisht personat që kishin hyrë njësoj si ai me lëvizje të dyshimta në këtë pronë. Shpronësimi publik iu dha kompensim monetar, por edhe lehtësimin e përkohshëm se ata nuk do të verifikoheshin më thellë.
Pjesë nga Dosja e SPAK:
Nga tërësia e veprimeve noteriale dhe komunikimeve të kryera rezulton se personat nën hetim Artur Shehu, Adrian Rama dhe Elton Memeti janë përfshirë në kryerjen e veprimeve fillimisht për të zhvilluar pronën, më pas në veprime juridike të maskuara me dhurim, me qëllim që, nëpërmjet lidhjeve të tyre, të mundësonin marrjen e lejes së ndërtimit.
Për këtë fakt rezulton se, nga të dhënat e dërguara nga autoritetet spanjolle dhe ato belge, personat nën hetim kanë kryer edhe takime me njëri-tjetrin jashtë shtetit, në Spanjë dhe në Aruba, ndërsa kanë komunikuar edhe në lidhje me takime me funksionarë të lartë shtetërorë.
Marrja e lejes së ndërtimit duket se është penguar nga sekuestrimi i bërë për pjesën ideale që subjekti Denis Matoshi kishte përfituar me anë të dhurimit, kërkesë e cila është bërë për konfiskim, si dhe nga fakti që nuk është arritur të revokohet kontrata e lidhur më parë si dhurim.
Pavarësisht këtyre fakteve, grupi kriminal, nëpërmjet personit nën hetim Adrian Rama, ka ndjekur veprimet e kryera edhe në kuadër të ndërtimit të “Shkollës së Bicikletave” dhe, sipas komunikimeve të kryera prej tij, për zhvillimin e saj është në pritje të planeve të zhvillimit.
….
Nga këto komunikime provohet se personi nën hetim Adrian Rama, në veprim të interesave të grupit kriminal pjesë e të cilit dyshohet se është, interesohet dhe koordinon veprimet që kryhen për truallin. Ai dyshohet të jetë i lidhur edhe me shoqërinë që mbikëqyrte punimet, shoqërinë “Klajger Construction”, me ortak Sadik Lumin, i cili, nga ana tjetër, ka lidhje me shoqërinë që kishte fituar kontratën për ndërtimin e Shkollës së Bicikletave, konkretisht shoqërinë “NG STRUCTURES”, me NIPT L793265020, me ortak të vetëm dhe administrator shtetasin Hekuran Hoxha.
Nga verifikimi i librave të blerjeve dhe shitjeve të shoqërisë “Kryon.83” rezulton se kjo shoqëri ka realizuar shitje po në muajin nëntor 2022, fakt i cili tregon lidhjen ndërmjet tyre.
Në vijim, nga komunikimet e bashkëpronarëve rezulton se toka, ndryshe nga sa rezulton në dokumentacionin ku paraqitet si e dhuruar, në fakt rezulton të jetë shitur.
….
Në datën 07.06.2022, ora 15:57:23, shtetasit A – A.Grori, dhe B – Xh.Rama, komunikojnë me njëri-tjetrin në lidhje me përgjigjen që SPAK do të kthente, e cila besohet se është e lidhur me kërkesën që Agjencia Shtetërore e Kadastrës i kishte drejtuar Prokurorisë, ku kërkonte të dhëna për personin nën hetim Artur Shehu.
Biseda vijon si më poshtë:
B: Ik se u acarova. Këtu le hipotekën prapë.
A: He, më?
B: Po prapë, o vëlla! S’e ka sjellë SPAK-u letrën tamam akoma.
A: Nuk ia ka sjellë SPAK-u tamam?
B: Jo, akoma. Ka sjellë një letër që… (shprehje fyese). Se ku do t’ia gjejmë fillin kësaj? Kujt juridiksion? T’i jap një dorë dhe ta regjistroj, se me rob shpie kështu nuk vazhdohet më.
A: Po mirë, ç’të të them unë? Çfarë rakoshi atje?
B: Një Dori, Dori… E takova njëherë, çun i mirë, po mes atyre çfarë do t’i thuash? S’ke çfarë i thua! Po ia çojmë emrin njëherë atij Dules, se mos e njeh.
A: Po kur do ta sjellë SPAK-u, o vëlla? Aman, se na hëngri shpirtin!
