Denoncimi/ Banorët e rrugës “Gjon Buzuku”: Ndërtimi i pallatit të ish deputetit socialist na ka zaptuar rrugën, jeta është kthyer në kaos!
Një qytetar ka kontaktuar InfoNews për të denoncuar një problem që, sipas tij, po shqetëson prej kohësh banorët e rrugës “Gjon Buzuku” në Tiranë.
Sipas denoncimit, në këtë rrugë po ndërtohet një pallat dhe banorët pretendojnë se gjatë punimeve është ngushtuar aksi rrugor, duke e bërë qarkullimin e automjeteve mjaft të vështirë.
Qytetari shprehet se në segmentin ku zhvillohet ndërtimi krijohen çdo ditë bllokime, pasi rruga është ngushtuar në atë masë sa kalimi i dy automjeteve në të njëjtën kohë bëhet pothuajse i pamundur.
“Kur një makinë vjen përballë, krijohet menjëherë bllokim total dhe qarkullimi paralizohet”, thuhet në denoncim.
Banorët pretendojnë gjithashtu se ndërtuesi ka tejkaluar kufijtë e lejes së ndërtimit, duke zënë një pjesë të rrugës. Sipas tyre, pavarësisht ankesave të përsëritura pranë institucioneve, deri më tani nuk është marrë asnjë masë.
Në denoncim përmendet se objekti po ndërtohet nga Pilo Keri, për të cilin qytetari pretendon se është ish-deputet i Partisë Socialiste. Ky është një pretendim i denoncuesit dhe nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur nga InfoNews.
Banorët i bëjnë thirrje Bashkisë së Tiranës dhe Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të kryejnë verifikimet përkatëse dhe të sqarojnë nëse punimet janë në përputhje me lejen e ndërtimit.
InfoNews mbetet i hapur për reagimin e Bashkisë së Tiranës, të IMT-së dhe të kompanisë ndërtuese, me qëllim pasqyrimin e të gjitha qëndrimeve mbi këtë çështje.
Denoncimi i plotë i qytetarit:
“Pershendetje InfoNews.
Jam nje zonje qe jetoj ne rrugen ‘Gjon Buzuku’ ne Tirane.
Ne si lagje kemi nje shqetesim te perditshem qe po na nxin jeten, Kemi frik te ecim me femijet. Duke qene se ne kete rruge po ndertohet nje pallat, ndertuesi ka dale jashte lejes se ndertimit dhe ka perfunduar duke ngushtuar rrugen. Aty krijohet nje rremuje e madhe dhe rruga eshte bere e kalueshme me veshtiresi.
Pallatin, sipas asaj qe kemi marre vesh, e ben nje ish-deputet i PS. Pallatin e ben Pilo Keri.
Ne kerkojme zgjidhje pasi jemi ankuar disa here dhe ankesa jone ka rene ne vesh te shurdher. Pse nuk flet IMT dhe Bashkia? Ata jane organet kompetente.
Kompania le te beje ç’te doje me pallatin, por nuk ia kemi per borxh te na ngushtoje rrugen dhe te behet problem per qarkullimin e makinave. Nese nje makine te vjen perballe, aty behet çorap dhe bllokohet totalisht.”
