Arratisja e Hasan Ferracakut, arrestohen 4 policë në Shkodër
Hasan Ferracaku, i cili ndodhej nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” është arratisur. Ferracaku është në hetim i dyshuar si një nga autorët e masakrës së Velipojës, me 4 viktima e 2 të plagosur me armë zjarri.
Ai është larguar nga banesa e tij në Shkodër, pavarësisht se ruhej 24 orë në 24 nga efektivët e Forcës së Posaçme.
Sipas informacioneve paraprake, Ferracaku ka mundur t’i shmanget mbikëqyrjes së policisë dhe të largohet në një drejtim ende të panjohur. Deri tani autoritetet nuk kanë dhënë një njoftim zyrtar mbi rrethanat e largimit apo mënyrën se si është bërë i mundur ky incident.
Ferracaku mbeti i plagosur së bashku me nipin e tij në masakrën e 26 qershorit 2021 pas një konflikti me familjen Gocaj. Në përplasjen me armë zjarri mbetën të vrarë Kujtim Ferracaku 59 vjeç dhe dy vëllezërit Edmond Gocaj 38 vjeç dhe Xhovani Gocaj 25 vjeç si dhe kamarieri 20 vjeçar Myzerim Zeneli. Vëllezërit Hasan dhe Kujtim Ferracaku u konfliktuan me vëllezërit Gocaj për ndarjen e shezlongëve në plazh dhe në darkë janë takuar për t’u sqaruar.
AMP arreston katër punonjës të Njësisë së Sigurisë Kombëtare Shkodër, të dyshuar për “Shpërdorim detyre”
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Drejtoria Rajonale Shkodër – Lezhë) ka arresruar në flagrancë katër punonjës policie të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Menjëherë pas marrjes së informacionit se shtetasi Hasan Verracaku, ndaj të cilit ishte caktuar masa e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, nuk është konstatuar në banesën ku duhej të mbahej nën mbikëqyrje dhe në ruajtje, specialistët e AMP-së kryen veprimet hetimore dhe procedurale përkatëse, në përfundim të të cilave u bë arrestimi në flagrancë, i punonjësve të policisë:
* Inspektor Dorjan Hasandoçaj;
* Inspektor Gentian Xhanari;
* Inspektor Dioniz Hotaj;
* Punonjësit Ridvan Zefi,
me detyrë pranë Trupës Operacionale të Njësisë së Sigurisë Kombëtare Shkodër
Ndërkohë shtetasi Hasan Verracaku dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, parashikuar nga neni 323 i Kodit Penal, duke thyer kushtet e masës së sigurisë të caktuar me vendim gjykate.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet plotësisht e angazhuar në mbrojtjen e ligjit, integritetit institucional dhe besimit të qytetarëve tek institucionet e sigurisë.
