Ardi Kollçaku, marrëveshje me “grupin e kokainës” për “Kullën e Tiranës”
TIRANË- Më shumë se një muaj më parë, u raportua se ish-lojtari i “Big Brother”, Donald Veshaj, kishte aplikuar për një kullë 33 kate në qendër të Vlorës, duke ngritur dyshimet e forta mbi paratë për këtë ndërtim masiv një individ, i cili nuk është dalluar si biznesmen i fuqishëm.
Bëhet fjalë për një kullë 33-katëshe me funksion banimi dhe hotelerie, e cila do të ketë gjithashtu edhe 4 kate nën tokë. Në dokumentat e publikuar nga “Boldnews.al”, në mbledhjen e 29 Prillit 2026, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), nën drejtimin e Ramës, kishte në shqyrtim kërkesën për “Leje zhvillimi për objektin rezidencial dhe hoteleri 33 kate mbi tokë dhe 4 kate nën tokë”, me vendndodhje në Bashkinë Vlorë, me subjekt zhvillues shoqërinë “DGC” sh.p.k.”.

Për momentin, Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT) nuk ka publikuar informacion nëse kjo kërkesë është miratuar apo refuzuar.
Shoqëria investiture “DGC” është themeluar në shkurt të vitit 2024, me aksionerë Donald Veshaj dhe Glenis Çobo. Pak muaj më vonë, në dhjetor të atij viti, në kompaninë “DGC” shtohet si ortak shoqërië “Anchor Invest”, me ortakun më të rëndësishëm Ardi Kollçaku.
“DGC”, tashmë me tre ortakë, aplikoi për kullën 33 kate në Vlorë. Por, ndërkohë që pritet të mësohet nëse kjo leje është miratuar nga Rama, ortaku kryesor i kompanisë investiture të kullën 33 kate në Vlorë, “Anchor Invest”, po përballet me disa siklete penale.
Dy ortakët e saj kryesorë, Ardi Kollçaku dhe Albi Shyti, kanë qenë pak ditë më parë subjekt i kontrollit nga ana e agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, në kuadër të një hetimi që po zhvillon Prokuroria e Posaçme (SPAK) për trafik narkotikësh ndaj një grupi të strukturuar kriminal shqiptar që ka trafikuar tonelata kokainë nga Amerika Latine në drejtim të Europës.
Bëhet fjalë për grupin kriminal të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave, ku janë të përfshirë emra të njohur të botës së binzesit, në industrinë e ndërtimit në vend.
Në 16 Qershor 2026, Prokuroria e Posaçme (SPAK) njoftoi se kishte lëshuar urdhër-arreste për disa persona, të dyshuar për “trafik narkotikësh” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “pastrim parash”.
Sipas Prokurorisë, grupi i udhëhequr nga një personazh aspak publik, Salvadore Aliu, dyshohet se ka trafikuar sasi të konsiderueshme lëndër narkotike kokainë nga Ekuadori e vende të tjera të Amerikës së Jugut drejt Belgjikës, Hollandës, Italisë e Britanisë së Madhe. Ai dyshohet se ka pastruar në Shqipëri të paktën 30 milionë euro të përfituara nga aktiviteti kriminal, duke u ndihmuar nga vëllai i tij Isa Aliu. Në komunikime të zbardhura nga platforma SKY ECC, mes tij dhe vëllait Isa Aliu, përmenden shuma të mëdha parash, përfshirë 6 milionë euro cash dhe më pas rreth 20 milionë euro të tjera që pritej të siguroheshin për investim.
Sipas hetimeve, një nga metodat e përdorura ishte groposja e parave në tokë, të futura në fuçi plastike me kapacitet 50 litra. Nga verifikimet e kryera, SPAK dyshon se Isa Aliu ka marrë të paktën 30 milionë euro nga vëllai i tij dhe se këto para janë investuar më pas kryesisht në sektorin e ndërtimit.
Prokuroria ka sekuestruar një numër shumë të lartë pasurish të paluajtshme të “Aliu Road House” në pronësi të Isa Aliut, vëllait të Salvator Aliut, vila e godina në pronësi të “Altea Invest”, në pronësi të vëllezërve Shpëtim, Sokol e Nikoll Bibaj, si edhe në emër të disa shoqërive të tjera të lidhura me ta.
Paralelisht, SPAK ka kryer kontrolle e verifikime edhe në subjekte të tjera private, të cilat rezulton se kanë kryer marrëveshje bashkëpunimi me shoqëritë e lidhura me grupin kriminal.
Në listën e kontrollit, siç mëson “Boldneës.al”, kanë qenë edhe kompanitë “Anchor Invest”, “Anchor Beton”, si edhe pronarët e administratorët e tyre, Ardi Kollçaku e Albi Shyti.
“Anchor Invest”, kulla e resorte me “grupin e kokainës”
Prokuroria e Posaçme ka evidentuar se në janar të vitit 2022, kompania “Altea Invest” e vëllezërve Bibaj, ka shprehur interes për të bashkëpunuar dhe investuar me 25 përqind (kontribut në para) për ndërtimin e vilave në kompleksin rezidencial “Astoria Rezidence”, në zonën e Mjull Bathores, në Tiranë.

Ky kompleks është ndërtuar nga shoqëria “Anchor Invest”, me pronarë e administrator Ardi Kollçaku e Albi Shyti, të cilët kanë investuar me 50 përqind, si edhe kanë marrë përsipër procedurat ligjore dhe nxjerrjen e lejeve përkatëse.
Prokuroria e Posaçme, në një njoftim zyrtar, deklaroi se janë vendosur nën sekuestro “pasuri të paluajtëshme ne kompleksi rezidencial vilash në zonën e Mjull Bathores Tiranë, në “Astoria Residence”, të regjistruara në emër të “Altea Invest” të vëllezërve Bibaj, të dyshuar si pjesë e “grupit të kokainës.
Kulla 34 kate “Tirana Toëer”
Bashkëpunimi ndërmjet “Anchor Invest”, e themeluar nga Ardi Kollçaku dhe kompanisë “Altea Invest” të familjes Bibaj, është shtrirë edhe në bashkëpunimin për ndërtimin e një kulle 34 kate të lartë, në rrugën “Xhanfize Keko”, në kryeqyteti, të quajtur “Tirana Toëer”.
Në 8 Mars 2023, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, miratoi “Lejen e ndërtimit për objektin ‘Strukturë banimi dhe shërbime 1, 8, 9, 33, dhe 34 kate dhe 4 kate nëntokë, në rrugën Xhanfize Keko në Tiranë”, me subjekt zhvilluar shoqërinë “Anchor Invest”.

Rreth një vit para lëshimit të kësaj leje, në janar 2022, kompania “Altea Invest” e vëllezërve Shpëtim, Nikoll e Sokol Bibaj, (në atë kohë quhej “Bilali” shpk), ka shprehur interesin për të bashkëpunuar dhe investuar me 25 përqind (kontribut në para) për ndërtimin e kompleksit të banimit në rrugën “Xhanfize Keko”, i emërtuar “Tirana Toëer”.
Me një marrëveshje të nënshkruar në Shkurt 2024, pra pasi ishte miratuar leja e ndërtimit me firmën e kryeministrit Edi Rama, kompania “Altea Invest” e familjes Bibaj kërkon dhe porosit tek “Anchor Invest” e themeluar nga Ardi Kollçaku, rezervimin dhe ndërtimin e disa pasurive të paluajtshme të llojit apartament, dyqane e poste parkimi tek “Tirana Toëer”.

Sipas Marrëveshjes së Bashkëpunimit, kompania “Altea Invest” e vëllezërve Bibaj do të kontribuonte financiarisht në shumën 659 milionë lekë të reja ose pak më shumë se 6.5 milionë euro. Sipas tekstit të Marrëveshjes, “Altea Invest” ka paguar 66.7 milionë lekë të reja ose më shumë se 650 mijë euro, në momentin e nënshkrimit të saj.
Prokuroria e Posaçme deklaroi zyrtarisht se, në vijim të hetimeve për grupin e dyshuar kriminal, ka vendosur nën sekuestro “32 apartament, 6 njësi tregtare /zyra dhe 52 parkime tek Godina e banimit dhe shërbime me 1,8, 9 dhe 34 kate mbi tokë dhe 4 kate nëntokë me vendndodhje në rr. Xhanfize Keko, Tiranë”, pra tek kulla “Tirana Toëer”.
