Dhuna në protestën e Zvërnecit, kompania shkëput kontratën me shoqërinë e sigurisë: Vepruan pa autorizimin tonë
Vlorë – Kompania “Zvërnec South Adriatic Development” ka reaguar pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës së zhvilluar në zonën e projektit të saj, duke dënuar sjelljen e shoqërisë së sigurisë dhe duke njoftuar ndërprerjen e menjëhershme të kontratës me të.
Në një deklaratë për mediat, kompania bën të ditur se për garantimin e sigurisë së zonës zhvillimore, e cila është pronë private, kishte kontraktuar një kompani sigurie të licencuar dhe me përvojë në këtë fushë. Megjithatë, pas shqyrtimit të materialeve të publikuara nga ngjarja, drejtuesit e projektit e kanë konsideruar të papranueshme vazhdimin e bashkëpunimit me këtë subjekt.
Sipas kompanisë, shoqëria e sigurisë nuk ka pasur asnjëherë udhëzime për të vepruar në kundërshtim me ligjin apo për të cenuar të drejtat e qytetarëve. Ajo e cilëson të papranueshme ndërhyrjen ndaj një protestuesi, i cili po ushtronte të drejtën e tij për të protestuar jashtë kufijve të pronës private, si dhe tërheqjen e tij brenda territorit të saj për ushtrim force.
“Një veprim i tillë është jo vetëm moralisht i papranueshëm, por edhe i dënueshëm penalisht”, thuhet në reagim.
Kompania ka kërkuar ndjesë publike për incidentin dhe u ka bërë thirrje institucioneve kompetente të zhvillojnë një hetim të plotë dhe të paanshëm, duke vënë në dispozicion të autoriteteve çdo informacion të nevojshëm.
Në deklaratë theksohet gjithashtu rëndësia që ka komuniteti lokal për investitorët e projektit. “Zvërnec South Adriatic Development” shprehet e angazhuar për të forcuar komunikimin dhe bashkëpunimin me banorët e zonës gjatë javëve në vijim.
Nga ana tjetër, kompania ka reaguar edhe ndaj materialeve që po qarkullojnë në rrjetet sociale, duke pretenduar se po shpërndahen pamje të fabrikuara të projektit me qëllim krijimin e perceptimit se zhvillimi do të dëmtojë natyrën dhe ekosistemin e zonës.
Sipas saj, vlera kryesore e projektit qëndron pikërisht në harmonizimin e zhvillimit me natyrën, në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare të mbrojtjes së mjedisit. Kompania garanton se projekti final do t’i prezantohet publikut në kohën e duhur, duke dëshmuar se ai synon ruajtjen dhe promovimin e vlerave natyrore të zonës së Zvërnecit.
