Çfarë di Damian Gjiknuri për sherrin e Ismailajve….edhe për “pikën e voçkël” në Gjirin e Manastirit?
Sherri mes familjarëve ortakë të Holdingut FINMAN riktheu edhe një herë vëmendjen te një nga projektet më të debatueshme në bregdetin e jugut, ndërtimi në Gjirin e Manastirit, një zonë që prej vitesh është kthyer në simbol të betonizimit të një prej hapësirave më të ndjeshme natyrore në vend.
Në qendër të këtij zhvillimi qëndron kompania Albstar, pjesë e grupit të familjes Ismailaj, e cila po ndërton në një nga pikat më të lakmuara të bregdetit.
Gjiri i Manastirit iu dha disa vite më parë për ndërtim pikërisht kompanisë Albstar, pasi zona u nxor nga harta e zonave të mbrojtura.Që prej asaj kohe, ky projekt është shoqëruar me debate të forta publike. Një nga momentet më të diskutuara mbetet togfjalëshi “pika e voçkël”, i përdorur gjatë debatit parlamentar, kur ish ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, sot ministre e Arsimit, mbrojti projektin që kritikët e kanë cilësuar si një monstër betoni në një nga perlat e jugut.
Por ndërsa “pika e voçkël” është zgjeruar nga viti në vit, duke zënë hapësira gjithnjë e më të mëdha në kurriz të pyllit, detit dhe pronës publike, konflikti i fundit brenda familjes Ismailaj tregoi edhe një herë se kur vjen puna te pasuria, edhe miliarderët përplasen mes tyre.
Ky është, në pamje të parë, problemi i tyre i brendshëm. Por kur bëhet fjalë për një grup kompanish që menaxhon projekte të mëdha ndërtimi dhe ka përfituar fonde të konsiderueshme publike, konflikti merr një tjetër peshë.
Ai ngre pyetjen se si menaxhohen interesat, vendimmarrja dhe projektet publike nga një konglomerat ku përplasjet familjare kanë dalë tashmë në sipërfaqe.
Albstar, kompania bërthamë e këtij grupi, ka përfituar deri më tani tendera publikë në vlera kolosale. Ylli i kompanisë nisi të shkëlqejë fuqishëm gjatë periudhës kur Damian Gjiknuri drejtonte Ministrinë e Infrastrukturës.
Sipas të dhënave të Thesarit, të aksesuara nga Skyweb.al përmes OpenSpending Albania, vetëm gjatë periudhës kur Gjiknuri ishte në krye të kësaj ministrie, Albstar ka marrë pagesa në total prej 2,369,326,368 lekësh.
Konkretisht, në vitin 2013 kompania ka marrë 802,608,682 lekë. Në vitin 2014 pagesat ndaj saj arritën në 1,096,451,914 lekë. Ndërsa në periudhën 2015 deri në 2017, Albstar përfitoi edhe 470,265,772 lekë të tjera.
Pra, vetëm gjatë kësaj periudhe, pagesat për Albstar kalojnë shifrën 2.3 miliardë lekë (të reja), duke treguar se kompania pati një rritje të fortë në marrëdhënien me fondet publike pikërisht në vitet kur Ministria e Infrastrukturës drejtohej nga Damian Gjiknuri.

Ndërkohë, krejt rastësisht ose jo, një tjetër hallkë lidhëse shfaqet te projekti i Gjirit të Manastirit. Kompania “Andi” shpk, në pronësi të Andi Gjiknurit, i afërm i ish ministrit Damian Gjiknuri, u bë pjesë e kompanive që do të ndërtonin pikërisht te “pika e vogël”, një projekt që më pas u zgjerua sërish me një vendim të vitit të shkuar.

Për zbatimin e këtij projekti u krijua shoqëria “Manastiri Resort”, e përbërë nga bashkimi i “Finman” shpk, kompani në pronësi të Sadik dhe Idajet Ismailaj, me “Andi” shpk, në pronësi të Andi Gjiknurit.
Shoqëria “Manastiri Resort” u krijua me një marrëveshje që mban datën 16 nëntor 2021. Kjo ndodhi vetëm dy javë para se Komiteti i Investimeve Strategjike të miratonte statusin e “investitorit strategjik” për këtë projekt.
Pra, familja Ismailaj dhe kompania e Andi Gjiknurit regjistruan shoqërinë “Manastiri Resort” pak ditë përpara se projekti të merrte statusin e investimit strategjik.
Rreth një vit pas këtij bashkimi, kompania e Gjiknurit vendosi të largohej nga investimi, duke i shitur aksionet e saj tek “Finman”.
Megjithatë, pavarësisht tërheqjes së kompanisë së Gjiknurit nga projekti sipas dokumenteve, të dhënat tregojnë se Gjiknurët duket se kanë vijuar të jenë të pranishëm në projekt, herë si partnerë ndërtues në fillim dhe herë, ose shpesh, si nënkontraktorë.
Madje, burime të skyweb.al pranë kompanisë bëjnë me dije se lëvizjet në lidhje me pronësinë e dukshme apo të padukshme të këtij projekti janë intensifikuar fill pasi sherri mes Ismailajve u bë publik dhe tërhoqi vëmendjen publike.
Kjo e bën edhe më të rëndësishme pyetjen se çfarë di Damian Gjiknuri për konfliktin mes Ismailajve dhe për shkaqet reale të tij.
Nëse Albstar ka qenë një nga kompanitë që përfitoi fuqishëm gjatë periudhës kur ai drejtonte Ministrinë e Infrastrukturës, nëse një kompani e të afërmit të tij hyri në projektin e Gjirit të Manastirit vetëm pak ditë para miratimit të statusit strategjik dhe nëse më pas lidhjet me projektin kanë vijuar në forma të tjera
