Leonidha Çobo mbyll zyrën e tij të konsulencës që mori 1.5 mln euro nga “Bankers”
Nga Boldnews.al
Ish-Administratori i “Bankers Petroleum”, Leonidha Çobo, ka pezulluar aktivitetin e zyrës së tij së konsulencës, “LC Consulting”, me të cilën rezulton se ka përfituar më shumë se 1.5 milionë euro nga nënkontraktorë të kompanisë koncesionare e naftës.
Në 27 Prill 2025, Çobo, në cilësinë e ortakut të vetëm të studios së konsulencës financiare, ka shkarkuar nga detyra administratorin, Emirjon Marku dhe ka vendosur pezullimin pa afat të aktivitetit tregtar.
Në dokumentin e lexuar nga “Boldnews.al”, Leonidha Çobo thotë se ky vendim është marrë për shkak të “krijimit të gjendjes së pamundësisë objektive për ushtrimin normal të aktivitetit të saj, si pasojë e rrethanave të jashtme, të pavarura nga vullneti i shoqërisë dhe ortakut”.
Në foto: Vendimi për pezullimin e zyrës së konsulencës “LC Consulting”
Leonidha Çobo është pjesë e një hetimi që po kryhet nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK). Ai konsiderohet nga autoritetet hetimore si një prej personazheve kyç në një skemë massive mashtrimi me Tatimin Mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), ku janë përfshirë edhe disa drejtues e ish-drejtues të kompanisë “Bankers Petroleum”.
Bazë fillestare e hetimit, të nisur fillimisht nga Prokuroria e Fierit, ka qenë veprimtaria e dyshimtë e disa kompanive, të lidhura me ish-administratorin Leonidha Çobo. Veprimet e mëtejshme krijuan dyshime edhe për një seri kompanish e studiosh, të cilat kanë përfituar miliona euro nga “Bankers”.
Leonidha Çobo u arrestua në korrik të vitit 2025, mbi bazën e një vendimi të Gjykatës së Fierit. Më pas, kur çështja kaloi në SPAK, masa e sigurimit u zbut nga Gjykata e Posaçme Anti-Korrupsion.
“LC Consulting Albania”
Në vitet 2010-2015, Leonidha Çobo ka qenë Administrator i Përgjithshëm i “Bankers Petroleum”. Më tej, ai ka mbajtur poste të tjera në administratën e kompanisë koncesionare, deri në vitin 202, kur u largua përfundimisht nga shoqëria.
Në vitin 2019, gjatë kohës që Çobo ishte ende pjesë e “Bankers”, regjistron zyrën e konsulencës “Leonidha Çobo-Person Fizik”, me emrin tregtar “LC Consulting”. Prokuroria dyshon se ai e ka përdorur studion për të “shkarkuar” paratë që kompania e vëllait të tij merrte tek “Bankers Petroleum”.
Në foto: Leonidha Çobo, ish-Administrator i “Bankers Petroleum” në vitet 2010-2015
“Për vitin 2019-2020, Leonidha Çobo faturon “Tea Co” të Artur Çobos, për një shumë totale prej 21 milionë lekë të reja.Këto faturime ndërpriten menjëherë pas dhjetorit 2020, kur përfundon kontrata ndërmjet “Tea Co” dhe “Bankers Petroleum”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
Krahas faturave për “Tea Co”, subjekti Leonidha Çobo ka deklaruar të ardhurave nga konsulenca edhe për disa subjekte të tjera private, në një total prej 155 milionë lekë të reja (rreth 1.5 milionë euro) veprime që prokurorët dyshojnë se janë fiktive.
“LC Consulting” e Çobos ka ofruar shërbime në shumën 31 milionë lekë të reja për kompaninë e naftës, “Al. Global Oil”, kjo e fundit në pronësi të “Europetrol Group”, e njohur për pikat e karburantit “Eida” me aksionerë fundorë Asllan, Skënder, Gerian dhe Eno Kuqi.
Gjithashtu, klient i rëndësishëm i Leonidha Çobos është “H2015” shpk, një studio konsulence e lobimi në pronësi të ish-ministrit demokrat, Besnik Mustafaj dhe djalit të tij, Dardanit. Sipas dosjes së Prokurorisë, “H2015” shpk ka paguar për Çobon fatura në vlerë totale 29.5 milionë lekë të reja.
Një kompani me seli në Bullgari, “GreenHouse Smart Technology LTD”, e cila, siç cilësohet nga prokurorët, “nuk ka asnjë lidhje me tregun e hidrokarbureve”, ka faturuar në favor të studios së Leonidha Çobos rreth 1.8 milionë lekë.
Subjekti “LC Consulting” ka faturuar rreth 10 milionë lekë të reja për kompaninë greke “AS Geotechnology” shërbime, të cilat, sipas dosjes hetimore, “nuk lidhen aspak me ekspertizën e Çobos”.
