Policë të përfshirë…mashtrimet me Call Center, SPAK operacion në Tiranë!
Me urdhër të SPAK, një tjetër operacion po zhvillohet kundër mashtrimeve me Call Center. Burime bëjnë me dije se në aksionin që është ende në zhvillim e sipër, bashkë me agjentët e BKH-së, po asistojnë edhe efektivë të Policisë së Shtetit.
Aksioni ka nisur mëngjesin e sotëm në Tiranë dhe po ushtrohen kontrolle në disa ambiente, përfshirë pranë shkollës Sami Frashëri. Burime thonë se Agjencia e Mbikëqyrjes Policiore ka arrestuar një efektiv policie me kërkesë të SPAK. Ka dyshime që të përfshirë janë edhe disa të tjerë, pjesë e uniformave blu që janë të përfshirë në këtë rrjet Call Center.
Operacioni i SPAK vjen pak ditë pasi Policia e Shtetit goditi një tjetër rrjet mashtrimi përmes Call Centerave, që u zhvatën evropianëve 50 mln euro. 10 persona ranë në pranga, ndërsa 4 të tjerë u shpallën në kërkim.
Vetë SPAK, në muajin janar, çoi në pranga 8 anëtarë të një grupi kriminal të mashtrimit me Call Center, të cilët aktivitetin e ushtronin në dy kulla luksoze në Tiranë.
