Aksioni për Call Center “shkund” Drejtorinë e Tiranës, largohet shefi i Krimit Ekonomik
Një aksion i gjerë i autoriteteve kundër aktiviteteve të paligjshme në Call Center ka sjellë zhvillime të rëndësishme në strukturat e policisë në Tiranë. Si pasojë e këtij operacioni, është larguar nga detyra shefi i Krimit Ekonomik, Kreshnik Alimadhi. Ende nuk dihet se çfarë roli do të ketë tashmë Alimadhi pas largimit nga posti i shefit të Krimit Ekonomik.
Burime zyrtare bëjnë me dije se lëvizja vjen në kuadër të një reformimi dhe ristrukturimi të brendshëm, pas evidentimit të problematikave në luftën kundër krimit ekonomik dhe mashtrimeve përmes Call Center-ave.
Operacioni ndaj Call Center-ave, të cilat dyshohet se përfshihen në mashtrime ndërkombëtare, ka qenë ndër më të mëdhenjtë e kohëve të fundit dhe ka vënë në lëvizje jo vetëm strukturat hetimore, por edhe nivelet drejtuese të policisë.
Autoritetet kanë paralajmëruar vijimin e aksioneve dhe thellimin e hetimeve për të çmontuar rrjete të tjera të përfshira në këtë aktivitet.
