Për pak ditë bëhej baba, 31-vjeçari humb jetën tek Orange Club në Sarandë, arrestohet administratori Ermal Fataj
/////
Një ngjarje e rëndë është regjistruar një ditë më parë në Sarandë, ku një 31-vjeçar ka humbur jetën brenda lokalit “Orange Club”, si pasojë e kontaktit me rrymën elektrike.
Viktima është Igli Gjoca, nga Bajkaj i Delvinës, pronar i një servisi automjetesh në zonën e Vrionit.
Pavarësisht se ai është transportuar menjëherë drejt spitalit në Sarandë, shpëtimi i jetës së tij nuk ka qenë i mundur.
Lajmi ka sjellë dhimbje të madhe tek familjarët dhe të afërmit. I riu ishte i martuar dhe priste të bëhej baba i një vajze.
Ndërkohë ditën e sotme Policia në Sarandë ka njoftuar se ka arrestuar administratorin lokalit në Sarandë, shtetasin, E.F 40-vjeç.
Ky i fundit akuzohet për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Punësimi i paligjshëm”.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
