Krahu i djathtë i Ibrahim Licit, i bën cirk policisë së Shkodrës
SHKODËR-Barush Bregu alias Bajram Bregu, dyshohet të jetë personi i shpallur në kërkim pas të shtënave me armë zjarri të raportuara më herët në Shkodër. Ngjarja u regjistrua mesditën e sotme në lagjen Kiras, teksa policia po zhvillonte një operacion për kapjen e një personi të cilësuar me rrezikshmëri të lartë.
Policia ka bërë thirrje për ndalimin e automjetit, por urdhri nuk u zbatua dhe i është vënë në ndjekje. Në ndjekje e sipër pasagjeri, ka qëlluar me armë zjarri në ajër dhe ka arritur të arratiset. Dhjetra forca policia kanë mbërritur në vendngjarje duke rrethuar zonën ndërsa vijon operacioni duke blinduar zonën me efektivë dhe masa të rrepta sigurie.
Bregu, i njohur si krahu i djathë i familjes Lici, rezulton i shpallur në kërkim pasi akuzohet se ka siguruar armët, mjetet dhe pajisjet e tjera për kryerjen e atentatit në Shkodër mëngjesin e 8 shtatorit 2025, ku humbën jetën Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa u plagosën Erogen Vaso alias Brajoviç, si edhe kamarieria Meri Kaceri.Por kush është Barush Bregu?
Bregu është një emër i njohur për policinë dhe autoritetet e drejtësisë. Në 2016 Bregu është dënuar me 4 vite burg për kultivim të bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim si dhe armëmbajtje pa leje. Në vitin 2018, policia gjatë një operacioni në banesë i gjeti një automatik kallashnikov. Në maj të 2019 Bregu u arrestua pasi ishte shpallur ne kerkim per disa akuza te renda.
Krahu i djathte i Licëve
Barush Bregu alias Bajram Bregu që njihet si ‘i forti’ i Shkodrës, rezulton krahu i djathtë i Ibrahim Licit, autori i dyshuar për vrasjen e dyfishtë të vëllezërve Bilali më 30 mars të vitit 2021. Barush Bregu dyshohet edhe si personi që ka ndihmuar Ibrahim Licin në çdo lëvizje të këtij të fundit. Vitin e kaluar gjatë ndjekjes nga policia e Shkodrës, Bregu arriti që t’i shpëtojë ndërsa përplasi me mjetin e tij dy patrulla të policisë duke i shpëtuar ndjekjes. Gjithashtu, një vit më parë emri i Barushit u përmend edhe në atentatit ndaj Elis Rroshkodolit, i cili u qëllua me breshëri me armë teksa ishte duke pirë kafe në një lokal në zonën e Zdrales. Në atentatin mafioz, u zbulua e shkuara kriminale e Roshkodolit, ku përsëri në skenë doli emri i Barush Bregut. Bëhet fjalë për një plagosje të ndodhur në vitin 2010, ku Rroshkodoli ka plagosur me armë zjarri shtetasin Hysni Bregu, babai i të fortit të Shkodrës Barush Bregu.
