JANI ALIAJ/ Nga tradhtia ndaj shokëve tepelenas te përplasja me fierakë dhe beratasit
Vrasja e Aliajt nuk ishte një grindje e zakonshme midis të burgosurve. Faktet që dolën në dritë flasin për një akt të planifikuar me kujdes, për një ekzekutim që mbart shenjat e një kontrate vdekjeje.
Jani Aliaj u vra brenda një burgu që teorikisht kontrollohet 24 orë në 24, ku kamerat, rojet dhe protokollet e sigurisë synojnë të parandalojnë çdo incident.
Ai ishte i njohur si një figurë problematike, një emër që mbartte histori të errëta dhe konflikte të pazgjidhura…
“Ajo që vihet re tek personazhi Jani Aliaj, është që tradhton shokët dhe miqtë nga Tepelena, dhe i bashkangjitet bandave të trafikut të drogës dhe gjobvënies në qendër të Athinës. Bashkohet fillimisht me grupin e Fierakëve, të cilët në një rrethanë të caktuar duket se krijon edhe aty armiq e largohet, bashkohet me një bandë hajdutësh grabitësish nga Berati, edhe me ta largohet dhe në fund bëhet anëtarë i një banda gjobëvënësish me komanda greke, por me eksponent kryesor të saj me njerëz nga veriu i Shqipërisë”, u shpreh gazetari, Artur Bibe.
“Ajo që di unë nga informacionet e mia është që policia po analizon tërë historikun e tij, që të lidhë vrasjen e tij me historikun e tij me të kaluarën, pasi janë skenarë të ndryshëm që analizohen nga policia. Edhe thonë që mund të mund të ketë lidhje me ndonjë grup të krimit të organizuar ose me një armiqësi të kaluarës”, u shpreh gazetarja Mikaela Sava.
Si arriti të organizohej një sulm i tillë brenda një hapësire të monitoruar pa ndërprerje? A ishte gjithçka e orkestruar nga brenda mureve të burgut, apo kishte elementë që vinin nga jashtë? Dhe më e rëndësishmja, pse ende pas hetimeve fillestare, pyetjet mbeten më të shumta se përgjigjet?
“Kjo histori nuk mund të ndahet nëse vrasja ka ndodhur për shkak të aktivitetit të tij kriminal në Greqi, apo për shkak të konflikteve që ai ka pasur në Shqipëri, pasi të dyja gjërat janë të lidhura. Kam përshtypjen që aktiviteti kriminal i ndërtuar ndër vite i Jani Aliajit dhe kundërshtarëve të tij në Greqi, ka prodhuar konflikt në Shqipëri dhe më pas gjërat kanë rrjedhur në Greqi ku ai ishte i burgosur”, u shpreh Xhevahi Zhabina, gazetar
“Jani Aliaj është një eksponent i njohur i botës së krimit me shumë armiq. Ka nisur saga e tij, emri i tij është i njohur për autoritetet greke që në vitet 2000 kur Aliaj ka hyrë në Greqi, ka patur depërtim nga policia greke, pastaj është përfshirë në disa ngjarje të vogla kriminale”, u shpreh Artur Bibe, gazetar.
“Makineria e vrasjes” brenda burgut që eliminoi Jani Aliajn, autori i rremë grek dhe ‘killeri” shqiptar
Fillimisht autorësinë për vrasjen e Jani Aliajt, e mori një shtetas grek. Pak orë përpara ngjarjes u raportua se 49-vjeçari u vra nga Kristos Vardhuniotis, i arrestuar pak muaj më parë për vrasjen e Artur Bashimit.
Ky i fundit u ekzekutua me një plumb në kokë në Gusht të vitit 2025. Autori grek i asaj ngjarje, pranoi krimin fill pas arrestimit. Ai rrëfeu se nuk e njihte paraprakisht viktimën, por e kishte kryer atentatin kundrejt pagesës.
Për arsye ende të panjohura, shtetasi grek, po merrte përsipër një krim që nuk e kishte kryer.
“Në fakt, burimi më tha që në fillim ishin tre persona të implikuar. Domethënë nuk kishte shumë dyshime kush ishin të implikuar, ajo që na intrigoj në fakt ishte që personi i cili mori përsipër autorësinë ishte një person i cili pak kohë më parë kishte ekzekutuar një tjetër shqiptar”, u shpreh Artur Bibe, gazetar.
“Shtetasi grek, i cili kishte marrë përsipër këtë ngjarje të rëndë kriminale, kishte pranuar vetë autorësinë e krimit, rezultoi që nuk ishte ai autori por janë edhe shtetas të tjerë dhe shtetas shqiptarë të cilët kanë marrë pjesë aktive në këtë ngjarje kriminale”, u shpreh Indrit Sefa, avokat
Hetimet e mëtejshme identifikuan autorin e vërtetë, të vrasjes, shtetasin Xhuljano Halili.
Ai është një i dënuar i njohur për dhunë ekstreme, i dyshuar për vrasje të mëparshme, përfshirë disa viktima pa lidhje me konfliktet. Mes viktimave të tij është edhe një vogëlush vetëm 2-vjeçar.
Autori Halili u plagos lehtë gjatë përleshjes me Aliajn dhe kjo bëri që fillimisht të dyshohej se ai ishte një nga viktimat e incidentit. Ekzaminimet e mjekut ligjor treguan se plagët ishin marrë gjatë përleshjes me viktimën, duke nxjerrë në dritë të vërtetën pas raportimeve të para dhe spekulimeve të mediave.
“Xhuljano Halili, i cili fillimisht deklaroi se kishte marrë pjesë në sherrin e Varvlotis dhe Aliajit për ti ndarë ata, kishte marrë plagë nga thika. Kuptohet që mjeku ligjor menjëherë i ekzaminoj të dyja duart e autorit të dyshuar i cili kish pranuar autorësinë, por duket se nuk ishte ai autori dhe rezultoi se Xhuljano Halili është autori i dyshuar i vrasjes së Jani Aliajt”, u shpreh gazetari, Artur Bibe.
Sipas informacioneve nga mediat greke, dyshohet se i burgosuri grek mund të jetë paguar ose kërcënuar për të marrë përsipër autorësinë. Këto indicie shtynë autoritetet të rishikonin versionin fillestar dhe të thellonin hetimet, duke u përpjekur të zbardhnin çdo detaj të një ngjarjeje që kishte tronditur institucionet penitenciare të vendit fqinj.
Aliaj, i njohur në burg si “Xheku”, ishte prej vitesh i përfshirë në hetime të ndryshme, duke u konsideruar si pjesë e disa grupeve kriminale që operojnë në Shqipëri dhe vendin fqinj.
“Atë që kam kuptuar unë dhe që kam folur me burime të ndryshme është që e lidhin me të kaluarën e tij dhe me armiq të ndryshëm që mund të kishte. Sigurisht fokusi është në Greqi por po shikojnë edhe krimet që ka bërë në Shqipëri”, u shpreh gazetarja Mikaela Sava.
“Nisur nga ato çkemi parë e çkemi mësuar, nisur edhe nga personazhi i cili ka mberu viktimë e kësaj ngjarjeje mund të themi me bindje që një ngjarje e tillë nuk është spontane. Nuk është një ngjarje që ndodh spontanisht nga një sherr banal, por është një ngjarje e mirëorganizuar dhe e mirëmendua”, u shpreh Gjergj Nikolla, avokat
Autori i krimit Halili, i njohur edhe me nofkën “Niko”, është një nga figurat më të frikshme të botës së krimit në Greqi. Ai ka një histori të gjatë dhune: në vitin 2011 në Kalamata, dyshohet se vrau Fillim Mesajan dhe djalin e tij të mitur në një akt të porositur nga krimineli grek Vasilis Varelas. Në 2018-tën u arratis gjatë transferimit drejt burgut të Pireut, për t”, u arrestuar pak orë më vonë. Në qershor 2024, brenda burgut të Koridhalos, dyshohet se kreu vrasjen e Alfons Ndocit dhe plagosi një tjetër të burgosur, një akt që besohet se ishte i porositur nga jashtë.
“Në këtë moment duket se hetimet po mbyllen, Xhuljano Halili, akuzohet për vrasjen e Jani Aliajt, ju ngarkua edhe një vrasje, ka bërë 5 do bëj 6. Nëse do marrim pistën që është paguar, është një makineri vrasjeje e cila natyrisht ka gjetur një mënyrë për të bërë para brenda burgut”, u shpreh Artur Bibe, gazetar.
Korruptoi sistemin grek? Si po e zvarriste ekstradimin në Shqipëri vrasësi nga Tepelena…
Prej 13 muajsh, Aliaj ndodhej në burgun e Greqisë, duke pritur ekstradimin drejt Shqipërisë. Në muajt e fundit para vrasjes, ai po përpiqej të shmangte me çdo kusht rikthimin në Shqipëri.
Sipas informacioneve, 49-vjeçari kishte hyrë në një mekanizëm për të siguruar një dokument që do t”,i hapte rrugë azilit politik, një lëvizje që do të pezullonte ose të paktën do të vononte ekstradimin.
Flitet se për një procedurë të tillë qarkullojnë shuma që variojnë nga 50 deri në 100 mijë euro, por nuk ka konfirmim nëse ai arriti ta siguronte realisht këtë mbrojtje apo nëse gjithçka mbeti në tentativë.
“Jani Aliaj tentoi të shmangte ekstradimin, ku hyri në një mekanizëm për sigurimin e një letre për azil politik. Të paktën këtë kemi të sigurtë nga informacionet që tch disponon”, u shpreh gazetari, Artur Bibe.
“Ka bërë çmos për ta penguar ekstradimin. Me veprime proceduriale, me procese gjyqësore, me shtyrje të mundshme e të gjitha me rradhë, por fakti është se ishin drejt finishit të kësaj rruge gjyqësore dhe mendohej dhe besohej se për pak kohë ky shtetas do ekstradohej në RSH…. në rast se do përfundonte procedura e ekstradimit mendoj se do ishte më i sigurtë duke vuajtur dënimin në Shqipëri sesa në Greqi”, u shpreh avokati Indrit Sefa.
Në seancat gjyqësore për ekstradimin, avokatët e tij argumentuan se kthimi në Shqipëri do ta ekspozonte ndaj një rreziku serioz për jetën, për shkak të hakmarrjeve të hapura. Ata pretenduan se konfliktet e së kaluarës nuk ishin mbyllur dhe se siguria e tij nuk mund të garantohej.
Ironikisht, duket se ai rrezik që përmendej në sallën e gjyqit se mund ti kanosej në Shqipëri, u materializua brenda burgut grek.
“Greqia konsiderohet një nga shtetet me numrin më të lartë të vdekjeve të dhunshme në burgjet e saj. Në lidhje me këtë ka shumë faktorë edhe nga vetë studimet, tregohet se një nga shkaqet është mungesa e kushteve në burgjeve, janë kushte të ulta. Faktori i dytë janë mungesa e stafit, faktori i tretë është korrupsioni që mund të ketë”, u shpreh avokati, Gjergj Nikolla
Në historinë e përplasjeve që lidhen me grupet kriminale të Tepelenës, shpesh historia ka treguar se kufijtë janë simbolikë.
Pista kryesore e hetimit të Prokurorisë greke për eliminimin e Jani Aliajt, mbeten hasmëritë me grupet rivale në Tepelenë. Për të kuptuar luftën mes këtyre bandave, tani, do të zbërthejmë të plotë jetën kriminale të Aliajt dhe rivalëve të tij.
Kjo ngjarje, konsiderohet kapitulli i fundit i një lufte që kishte nisur vite më parë, një luftë që nuk u ndal as nga dënimet, as nga hekurat, as nga protokollet e sigurisë. Një luftë që përfundon me vrasjen e dy protagonistëve kryesorë, Elton Çiço më herët, dhe Aliaj së fundi.
“Në këndvështrimin tim, hakmarrja nuk është në prioritet ose nuk është shkaku i parë që sjell këto ngjarje penale, por është nevoja që çdo grup kriminal ka nevojë për t”,ju mbivendosur një grupi tjetër. Dhe derisa ai grup tjetër të shuhet përfundimisht nuk gjejnë qetësinë që do të thotë do vazhdojnë gjithmonë ngjarjet kriminale…..” u shpreh avokati, Indrit Sefa
“Këto dy ngjarje ishin të paralajmëruara, nuk mendoj se kishte kthim pas, dhe nuk mendoj se kishte ndonjë ndikim të madh në vendimmarrjet e grupeve, thjesht konflikti mes të dyve dihej, dhe të dy kërkonin eliminimin e njëri-tjetrin”, u shpreh gazetari Xhevahir Zhabina.
